Likovë, përurohet Qendra Ditore për Fëmijë me Nevoja të Posaçme
Në fshatin Orizare të komunës së Likovës...

Në fshatin Orizare të komunës së Likovës, solemnisht është përuruar Qendra për Persona me Nevoja të Posaçme.
Në të pritet të vendosen 38 fëmijë të moshës nga 2 deri në 14 vjeç. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe në partneritet me komunën e Likovës dhe OJQ “Imago Plus“.
Ky projekt është i 19 në kuadër të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, në të cilin janë përfshirë 24 komuna në RMV.
“Esenca e ngritjes së qendrave të këtilla ditore është mbështetja e kategorive të ndjeshme, në rastin konkret fëmijët me nevoja të posaçme. Në këtë qendër me profesionistët përmes qasjes multidiciplinare do t’u jepet mbështetje fëmijëve me pengesa që të munden t’i zhvillojnë aktivitetet e përditshme, si mbajtjen e higjienës personale, veshmbathjen, ushqyerjen, por edhe zhvillimin e aktiviteteve edukative, sociale, kulturore e arsimore me një qëllim të vetëm, kyçjen e tyre në shoqëri bashkë me qytetarët tjerë dhe të munden në vazhdimësi të kyçen në procesin e arsimimit. Gjithashtu në punëtori do të ketë punëtori dhe këshillime me prindërit e fëmijëve me pengesa.”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Jagoda Shapanska.
“Kjo ditë është e veçanta për fëmijët me nevoja të veçanta në komunën e Likovës, për familjarët e tyre, për arsye se të gjitha angazhimet, përkujdesja, edukimi, do t’i kryejnë në këtë qendër e cila është e një rëndësie të madhe për ata dhe komunën tonë.”,- tha kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
“Kishim fëmijë të cilët udhëtonin nga Likova deri në Shkup për trajtim, siç e dini fëmijët me autizëm shumë vështirë e kanë të trajtohen e rrugëtimi e bën edhe më të vështirë trajtimin, për këtë arsye në bashkëpunim me kryetarin e komunës, Erkan Arifin, arritëm që nga një qendër e cila nuk ishte në shfrytëzim për vite të tëra, që ta kthejmë në një qendër ku besoj se do të gjallërojmë si nga ana e fëmijëve që marrin trajtimin e duhur po ashtu edhe nga ana e stafit i cili me aktivitetet që do t’i parashtrojë, kemi shpresa se këta fëmijë do të jenë më tepër të kyçur në shoqëri dhe do të pranohen ashtu si janë.”, theksoi Zimrijete Veseli Bela – OJQ “Imago Plus”.
Ndryshe, kreu i komunës së Likovës, Erkan Arifi, paralajmëroi se shumë shpejt do të vihet edhe gurthemeli i Çerdhes për Fëmijë në fshatin Mateç me kapacitet prej 115 fëmijë. (Fatlum Aqifi, TVM2)
