Vaksinimi i detyrueshëm anti Kovid, protesta në disa shtete europiane
Certifikata digjitale e BE-së...

Certifikata digjitale e BE-së për vaksinimin hyrinë fuqi edhe në Sllovaki. Masa ligjore është shoqëruar nga protesta të ashpra.
Policia përdori gaz lotsjellës për të parandaluar qindra aktivistë anti-vaksinë që të sulmonin ndërtesën e parlamentit.
Sllovakia ka pothuajse 5,5 milionë banorë dhe më shumë se 1,9 milion njerëz janë plotësisht të vaksinuar.
Edhe Parlamenti i Francës miratoi legjislacionin që i bën vaksinat të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Ndryshimi vjen pas protestave në Francë kundër masave të izolimit.
“Vaksinimi është armë kryesore kundër koronavirusit, ndërsa, ndryshimet janë të nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit e cenueshëm, si dhe për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.”,- tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Në protestat e fundjavës kundër rregullave të reja, mbi 160,000 njerëz janë mbledhur në Paris dhe dhjetëra prej tyre janë arrestuar. Në Gjermani, Qeveria është duke shqyrtuar kufizime për njerëzit e pavaksinuar, nëse numrat e rasteve me koronavirus arrijnë lartësi të reja në muajt e ardhshëm.
“Nuk parashikohet një tjetër mbyllje në Gjermani por personat e pa vaksinuar mund të mos lejohen në restorante, kinema dhe stadium. Vaksinimi përbën rëndësi në mbrojtjen kundër rasteve të rënda të virusit dhe se “ata që janë të vaksinuar do të kenë më shumë liri.”,- tha shefi kabinetit të kancelares Angela Merkel, Helge Braun.
Mbi 60 për qind e popullsisë në Gjermani ka marrë të paktën njërën dozë, ndërsa 49 për qind janë plotësisht të vaksinuar.
Shtetet e Bashkuara janë duke luftuar gjithashtu për të rritur numrin e njerëzve të vaksinuar, numri i rasteve po rritet nga amerikanët e pavaksinuar, thonë ekspertët.
“Ne po shkojmë në drejtimin e gabuar. Infeksionet po përhapen pothuajse ekskluzivisht në mesin e njerëzve të pavaksinuar – çfarë është edhe arsyeja përse autoritetet qeveritare “praktikisht po i lusin njerëzit e pavaksinuar, që të vaksinohen.”,- tha eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në SHBA, Anthony Fauci.
Në SHBA, 49 për qind e popullsisë amerikane, janë plotësisht të vaksinuar.
Situata nga koronavirusi është përkeqësuar në Brazil. Numri i viktimave nga Covid-19 ka kaluar mbi 500 mijë. Kjo është edhe arsyeja pse brazilianët janë ngritur në protesta dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit, Jair Bolsonaro, të cilin e akuzojnë për keq menaxhim të situatës.
Protesta të dhunshme ka edhe ne Tunizi. Presidenti i Tunizisë shkarkoi kryeministrin dhe pezulloi Parlamentin, pasi mijëra protestues, të zemëruar me, siç thonë, keqmenaxhimin e koronavirusit nga ana e Qeverisë, dolën në rrugë dhe u përleshën me policinë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
