15 të arrestuar për masakrën në Bosnjë
Pesëmbëdhjetë persona janë arrestuar nga Policia në Serbi dhe Bosnjë, si të dyshuar për një masakër që ka ngjarë në Bosnjë, në vitin 1993...

“Associated Press”, bën me dije se dhjetë persona janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Bosnjë dhe pesë të tjerë në Serbi.
Prokurorët e të dyjave vendeve, të cilët kanë qenë armiq gjatë kohës së luftës, i kanë thënë AP-së, se ata kanë bashkëpunuar për të hetuar masakrën që kishte ngjarë në Shtërpci të Bosnjës, më 27 shkurt të vitit 1993, ditë në të cilën 19 meshkuj ishin nxjerrë jashtë nga treni e ishin vrarë.
Në mesin e të arrestuarve është edhe vëllai i ish-shefit ushtarak Milan Lukic, Gojko Lukic, si dhe gjenerali i Ushtrisë serbe në Bosnjë, Luka Dragiceviq. Ky i fundit ishte komandant në zonën ku kishte ndodhur masakra.
Masakra në Shtërpc është kryer gjatë konfliktit në Bosnjë, në të cilin më shumë se 100 mijë persona kishin mbetur të vdekur, ndërsa miliona të tjerë ishin shpërngulur.
