Maqedoni

Imunizimi dhe parandalimi i Covid-19, Filipçe: Masa restriktive, në vjeshtë

27.07.2021 14:09

Ministri Filipçe edhe njëherë ripërsëriti....

Ministri Filipçe edhe njëherë ripërsëriti se tani për momentin nuk mendohet për masa të reja restriktive, po ai nuk mohoi se një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë muajve në vjeshtë.

Ministri Filipçe tha se mendohet për masa restriktive për qytetarët që nuk janë vaksinuar.

“Tani për tani nuk planifikojmë të fusim asnjë lloj mase restriktive, as nëpër kufijtë, as këtu në korniza të organizimin e ngjarjeve me prezencë masovike dhe kështu me radhë. Mendojmë nëse është e nevojshme të bëhet diçka në muajt e vjeshtës, duke filluar nga fillimi i muajit shtator, mesi i shtatorit apo fillimi i tetorit. I ndjekim përvojat e vendeve të tjera, gjithkund në botë ka debat se çfarë duhet të bëjnë, mendimet shkojnë në drejtim nëse duhet të bëhet ndonjë masë restriktive për qytetarët që nuk janë vaksinuar, përse t’i rrezikojnë të gjithë ata që kanë mundësi të vaksinohen dhe nuk e bëjnë atë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministri Filipçe potencoi se procesi gjithëpërfshirës i vaksinimit në përgjithësi po realizohet mirë, ndërsa paralajmëroi mbyllje të Sallës “Boris Trajovski” për vaksinim në vjeshtë.

“Me siguri do ta kalojmë numrin prej 500 mijë të vaksinuar me së paku njërën dozë, mbi 330 mijë tashmë janë rivaksinuar, deri në fund të gushtit presim që të gjithë 500 mijë që janë vaksinuar me njërën dozë, të rivaksinohen. Mirë po zhvillohet vaksinimi në terren, diku 20 mijë persona janë vaksinuar në teren. Sa u takon të sëmurëve, diku 92 pacientë janë të sëmurë, nga gjithsej 330 mijë që janë rivaksinuar, që nënkupton se përqindja e personave të sëmurë që janë rivaksinuar është vërtetë shumë i ulët, diku 0,02%, që është edhe një dëshmi se sa është e dobishme vaksina.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Filipçe tha se rreth 60% e qytetarëve mbi moshën 65 vjeçare në nivel shtetëror tashmë janë vaksinuar, ndërsa numri i fëmijëve të vaksinuar shkon në 630.

Nga Ministria e shëndetësisë dje janë vaksinuar gjithsej 18.149 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 5.650 qytetarë. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)