Maqedoni

Grafa etnike në letërnjoftime, Zaev: Nuk ka zgjidhje ligjore në kuvend

27.07.2021 15:18

Kryeministri, Zoran Zaev....

Kryeministri, Zoran Zaev, vlerëson se është e pamundur të gjendet zgjidhje për të miratuar amendamentin e Lëvizjes “BESA” në Kuvend për të vendosur grafën etnike në letërnjoftimet e reja.

Propozim amendamentin e BESA-s Zaev e sheh si praktikë joevropiane, andaj edhe nuk jep sinjale se e njëjta mund të votohet në Kuvend.

“Ne i kemi dhënë mbështetjen tonë në periudhën kur bëheshin ndryshimet kushtetuese. Ne e kemi shprehur qartë qëndrimin tonë se ne nuk kemi problem për çështje të tilla. Por, Evropa, qartë e tha se përkatësia etnike në letërnjoftime nuk është praktikë evropiane. Bashkimi Evropian na dërgoi mesazhin e qartë se nuk duhet të zbatojmë një praktikë të tillë, sepse nuk ekziston në BE dhe mendoj se duhet të gjejmë zgjidhje.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Hoxha: S’heqim dorë, është premtim elektoral

Por, kështu nuk mendojnë nga Lëvizja “BESA”. Ministri i Bujqësisë dhe njëherit sekretari gjeneral i kësaj partie, Arjanit Hoxha, ripërsëriti se BESA nuk do të heqë dorë nga përkatësia etnike në letërnjoftimet për shkak se ky është premtim i tyre elektoral dhe se nuk ka gjë të keqe nëse qytetarëve të këtij vendi u mundësohet të shënojnë përcaktimin e tyre etnik.

“Amendamenti që ne po e propozojmë është që të gjithë atyre që në aplikacionet e letërnjoftimeve do të kërkojnë, përveç shtetësinë, të evidentojnë përkatësinë e tyre etnike, t’u mundësohet. Pra, ne po kërkojmë të ketë grafë të veçantë për përkatësinë etnike ashtu siç është në ndryshimet kushtetuese se për maqedonasit, maqedonas-qytetar i RMV-së, për shqiptarët - qytetar i RMV-së, e njëjta të vlejë edhe për letërnjoftimet.”,- tha ministri i bujqësisë - “Besa”, Arjanit Hoxha.

Rreth kësaj çështje qëndrimet e përfaqësuesve të LSDM-së dhe Lëvizjes “BESA” duken “të betonuara”. Por, sa realisht këto dallime janë të tejkalueshme mbetet për t’u parë, pas përfundimit të takimit Zaev-Kasami caktuar për të mërkurën.

Deri tani në MPB janë grumbulluar rreth 12 mijë kërkesa për letërnjoftime të cilët nuk mund të jepen derisa nuk miratohen ndryshimet e propozuara ligjore me të cilën do të mundësohet dhënia e letërnjoftimeve të reja me emrin e ri kushtetues. (Rexhep Qamili, TVM2)