Maqedoni

Strugë, kontrolle të shtuara për cilësinë dhe sasinë e ujit

27.07.2021 16:03

Kohëve të fundit janë shtuar inspektimet e ujit...

Kohëve të fundit janë shtuar inspektimet e ujit të pijshëm në Strugë dhe rrethinë dhe për herë të parë këtë sezon, nga sistemi i ujësjellësit, rrjedh ujë i pastër.

Sipas analizës së Qendrës për Shëndet Publik, cilësia e ujit plotëson vetitë biokimike për përdorim. Një pompë e re është instaluar në fshatin Veleshtë për të mbështetur sistemin e furnizimit me ujë dhe inspektorët kryejnë inspektime të përditshme për të parandaluar keqpërdorimin e ujit për ujitje.

“Për momentin i garantoj qytetarët që uji është plotësisht i pastër sepse ne e kemi të detyrueshme nga instituti që të bëjmë analiza të përjavshme ose edhe dy herë në javë kështu që vijnë ekspertët dhe e marrin ujin lartë në burime me qëllim që të bëhet analiza dhe qytetarët të ndjehen të sigurt.”,- theksoi drejtori i N. P. “Ujësjellësi” – Strugë, Dashmir Nasufi.

Ekologët: Ndryshimet klimatike, faktor kyç për ujin

Ambientalistët thonë se ndryshimet klimatike kanë zvogëluar ose zhdukur plotësisht rrjedhën e shumë burimeve malore, lumenjve dhe përrenjve në Jabllanicë, e cila dikur ishte shumë e pasur me ujë. 

“Ndikimi i ndryshimit të klimës me të vërtetë ndikon në cilësinë dhe sasinë e ujit. Kjo është arsyeja pse, si qytetarë, ne duhet të mendojmë për atë temë dhe të përfshihemi në aksionin në mbrojtjen ujërave, më saktë, të mos ndotet ajri, sepse ndotja e ajrit sjell deri tek ndryshimet klimatike.”,- tha kryetari i Shoqatës Ekologjike “Natura Lab”, Alim Salioski.

Struga ka vite që përballet me problemet e furnizimit me ujë, veçanërisht gjatë verës. Gjatë reshjeve të shiut, uji është i turbulluar në burimet e Belicës së Epërme, prandaj ndalohet për pije.

Ndërsa gjatë një periudhe të gjatë të thatë, nuk ka ujë të mjaftueshëm, sistemi i furnizimit me ujë nuk mund t’u shërbejë nevojave të qytetarëve. (Ilmije Zhaku, TVM2)