Qeveria mbledhje tematike, 20 vjet nga nënshkrimi i MO-së
Përmes një mbledhjeje tematike....

Përmes një mbledhjeje tematike, Qeveria ka diskutuar shënimin e 20 vjetorit nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, dokument i cili transformoi vendin nga një vend që prodhonte krizë, në një vend me perspektivë europiane.
Kryeministri Zaev potencoi se obligimet e kësaj Qeverie që nga fillimi kanë qenë përmbushja e pjesës normative të Marrëveshjes, me çka edhe u mundësua ndryshimi i kushtetutës dhe Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Marrëveshja e Ohrit ka përcjellë porosi për bashkëjetesë dhe falje mes etniteteve shqiptarë, maqedonas dhe etnive tjera. MO solli një frymë të re të politikbërjes dhe të ndërtimit të urave dhe jo rrënimin e tyre, politika të cilat i bashkojnë popujt në rrugën eurointegruese. Me Marrëveshjen e Ohrit vendi ynë është më stabil dhe më e sigurt. MO ka qenë bazë për arritjen e Marrëveshjeve si ajo e Prespës dhe ajo për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Edhe ministrat e kabinetit qeveritar njëzëri konstatuan se Marrëveshja Kornizë e Ohrit i tejkaloi krizat në mes etniteteve dhe shndërroi Maqedoninë e Veriut në një vend shembull për rajonin.
“Keni treguar ju dhe Qeveria të po e udhëhiqni se me hapa të guximshëm do të mund të ndërtohet një shoqëri për të gjithë dhe sigurohet perspektiva europiane e vendit. Këtë marrëveshje po e shënon pikërisht kjo Qeveri e cila rrënoi tabu nga 2002 deri në vitin 2006 dhe e mori hapin e guximshëm që ta transformojë shoqërinë tonë.”,- tha zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
“MO është një perlë politike e cila i tejkalon kufijtë e vendit, por ishte edhe forca e brendshme e cila na përgatiti edhe për sfidat e jashtme dhe është kjo storje që ne po e përdorim si argument, por edhe bota po e përdor si argument për ne.”,- theksoi ministri i MPJ-së, Bujar Osmani.
“MO nuk ishte marrëveshje e rëndësishme për të gjithë, ka pasur edhe shumë prej tyre të cilët kanë hedhë dyshime, nëse i japim të drejta etnive tjera do të krijojë distancë mes tyre. Inkuadrimi i etnive tjera në polici dhe armatë, ishte frika më e madhe, ndërsa tash 20 vite pas, po tregohet se kjo është e arritura më e madhe.”,- theksoi ministri i mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit janë përgatitur një sërë aktivitete nga ana e kabinetit të zëvendëskryeministrit dhe ministër i sistemit politik, Artan Grubi. (Fitim Kryeziu, TVM2)
