Maqedoni
Administrata në shënjestër për korrupsion, KSL: Gati për ndihmë, qeveria të kryejë obligimet
28.07.2021 15:28
Sindikata e Punëtorëve, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve thonë se deklarata e kryeministrit, Zoran Zaev...

Sindikata e Punëtorëve, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve thonë se deklarata e kryeministrit, Zoran Zaev, është e pabazë dhe është një sulm ndaj administratës shtetërore si fajtori i vetëm për perceptimin e keq të qytetarëve.
Nga sindikata kërkojnë prova konkrete se kush dhe ku ka korrupsion. Sindikata e punëtorëve është e gatshme të japë kontribut në luftën kundër korrupsionit dhe në dispozicion të Qeverisë gjithashtu për të kontribuar bashkërisht në luftën kundër kësaj të keqeje të shtetit.
“Një periudhë më të gjatë kohore administrata është në shënjestër të Qeverisë, respektivisht e punëdhënësve dhe me të vërtetë nuk mund ta kuptojmë se cili është qëllimi. Nëse ata janë punëdhënës të administratës, ata duhet të kenë mekanizma se si të jetë administrata më efektive dhe nëse është e korruptuar ta luftojnë korrupsionin.”,- u tha nga Sindikata e Punëtorëve.
“Ne veç më dhjetë vite punojmë në formë elektronike, d.m.th. nuk kemi punë me palë dhe lëndët tona vijnë nga vetëqeverisjet lokale nga noterët, përmbaruesit dhe ministritë.”,- theksuan nga një shoqatë qytetare.
“Të punësuarit në gjyqësi, në administratën gjyqësore, në prokurorinë publike, janë befasuar nga një deklaratë e tillë dhe presim dëshmi konkrete. Numër konkret apo përqindje e të punësuarve në këto shërbime kundër të cilëve ekzistojnë vendime të plotfuqishme për dikë që është akuzuar për korrupsion.”,- u shprehën një përfaqësues nga organet gjyqësore.
Edhe Konfederata e Sindikatave të Lira të Maqedonisë së Veriut kundërshton ashpër deklaratën e kryetarit të Qeverisë, Zoran Zaev, se korrupsioni nuk ekziston në eshalonët e lartë të pushtetit, por te administratorët. Këta të fundit i drejtohen kryeministrit Zaev, se korrupsioni në eshalonët më të lartë të pushtetit ekziston, që sipas tyre, e dëshmojnë raportet e shumta në mesin e të cilëve edhe ai i “Transparensi Interneshënëll” dhe i Departamentit të Shtetit.
REJHANE BUSHI METAJ
