Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mariçiq: Pres të miratohet para pushimeve

28.07.2021 15:51

Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, tha se nuk pret bllokime në Kuvend për ndryshimet në Kodin Zgjedhor...

Ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq, tha se nuk pret bllokime në Kuvend për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pasi që pjesa më e madhe e ligjit ka të bëjë me implementimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe ODHIR-it që kanë për qëllim të përmirësojnë procesin zgjedhor që është në interes të të gjitha partive politike.
 
“Të gjitha zgjidhjet që janë në ligj janë arritur në bazë të propozimit për kompromis, ndërsa në cilën formë do të sillet ligji dhe nëse një pjesë e tyre do të ndryshohet me amendamente apo tërësisht do të hiqen, ajo varet prej vullnetit të shumicës së deputetëve.”,- tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq.
 
Ideja me listat e hapura duhet të mbështetet sepse është një hap i mirë për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe është hera e parë që do të aplikohet.
 
Mariçiq informoi se modeli zgjedhor me lista të hapura është miratuar në bazë të kompromisit, me preferencën për zgjedhjen e një këshilltari, përkrah rrethimit të partisë apo koalicioneve që garojnë.
 
“Ata këshilltarë që do të kenë më shumë se 3% të votave nga votuesit e regjistruar në komunë do të kalojnë të parët, ndërsa vendet e tjera të partisë do të plotësohen sipas radhitjes së kandidatëve të propozuar si deri më tani. Nëse një qytetar rrethon më shumë se një preferencë, atëherë vota do të vlerësohet vetëm si e partisë. Qëllimi është që përveç partisë, qytetarët të mund të votojnë edhe për personalitete.”,- u shpreh Mariçiq.
 
Në bazë të bisedimeve me paritë politike, pragu i kandidatëve të pavarur që garojnë në zgjedhjet lokale është 2% dhe arritja e këtij pragu nuk është e pamundur, tha Mariçiq.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI