Maqedoni
Kuvend, u miratua rebalanci i buxhetit
28.07.2021 18:09
Me 56 vota “për” dhe 37 “kundër”, Kuvendi miratoi rebalancin e buxhetit për vitin 2021...

Sipas opozitës shqiptare, buxheti është joreal, i projektuar në shifra megalomane të cilat nuk do të realizohen. Nga BDI dolën me qëndrim se buxheti do të ndihmojë qytetarët e goditur nga kriza dhe se ky buxhet është më i miri që mund të ishte projektuar në kohë krize.
“Është një buxhet optimist. Zotëri Adnan Neziri, ju si ekonomist e dini se në kohë pandemie dhe epidemie, të bësh një buxhet optimist me parametrat të cilat janë të parapara në buxhet është një guxim mjaft i madh. Qeveria përveç se të dhënave me të cilat ka dal për zhvillim ekonomik dhe stabilitet ekonomik brenda këtij viti, ajo ka parë edhe një opsion pesimist nëse nuk mund të realizohen.”,- deklaroi Bedri Fazliu nga BDI.
“Buxhetet nuk projektohen me optimizëm apo pesimizëm, por projektohen me realizëm. Po, ky buxhet është optimist, është i madh, mirëpo shkoni dhe takohuni me qytetarët dhe shihni se ky buxhet i madh, i rritur, i projektuar, falë qytetarëve, pasi qytetarët paguajnë të hyrat, nuk e jep atë të cilën qytetarët kanë nevojë. Qytetarët nuk e ndjejnë këtë.”,- tha Adnan Neziri nga ASh-AAA.
VMRO-DPMNE vlerëson se ky buxhet miratohet vetëm për shitblerje të votave, përderisa do të rrit varfërinë në vend. Nga LSDM kundërpërgjigjen duke thënë se me rebalancin do të ndahen mjete për investime dhe për rimëkëmbje të ekonomisë.
“Këtë vit qytetarët në këtë buxhet do të marrin pjesë me tatime më të shtrenjta. Do të sillet tatimi progresiv, do të rritet TVSh-ja, do të sillet taksa ekologjike dhe do tu mbeten vetëm shtrenjtimit dhe varfëria, kurse ne përsëri do të bëjmë buxhete megalomane për shitblerje para-zgjedhore dhe që këto nga qeveria të vazhdojnë me vjedhje, përderisa e gjitha bota u thotë se përparojmë vetëm në fushën e krimit dhe korrupsionit.”,- theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
“Me këtë rebalanc për arsim ndajmë 28.6 miliard denarë, për shëndetësi 46.7 miliard denarë, për kujdes social 91.8 miliard denarë. Pra, flasim për 2.7 miliard euro, investime në kapital njerëzor në nivel vjetor.”,- u shpreh Marija Angellova nga LSDM.
Me këtë rishikim të buxhetit të hyrat parashihen të jenë në nivelin prej 222.6 miliardë denarë dhe janë 4.7 për qind më të larta. Ndërsa shpenzimet deri 268.8 miliardë denarë ose 8.6 për qind më shumë se buxheti fillestar. Deficiti buxhetor kap vlerën prej 46.2 miliardë denarësh.
ERSAN PAJAZITI
