Maqedoni

Ademi: MASH-i do t’i mbështesë vullnetarët amerikanë

05.12.2014 15:31

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Korpusin e Paqes...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Korpusin e Paqes për pesë vitet e ardhshme, me anë të të cilit përcaktohen të kuptuarit dhe synimet në lidhje me rolet e të dyja palëve, duke konfirmuar miqësinë e gjatë në mes të popujve në Maqedoni dhe atyre në Amerikë.
 
“Siç dihet, anëtarët e Korpusit të Paqes janë të pranishëm në Republikën e Maqedonisë që nga viti 1996 dhe prej atëherë e deri më sot më shumë se 500 vullnetarë të Korpusit të Paqes bashkëpunojnë me kolegët e tyre nga Maqedonia. Dy vjet, vullnetarët jetojnë dhe punojnë në komunitetet lokale. Punojnë edhe në zonat urbane edhe ato rurale, në rajone ku flitet edhe gjuha maqedonase edhe ajo shqipe”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
“Sot është një ditë speciale për Korpusin e Paqes, por është edhe “Dita ndërkombëtare e vullnetarizmit”, është një ditë historike e nënshkrimit të memorandumit mes Ministrisë së Arsimit dhe Korpusit të Paqes amerikan dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë për shumë vite”- tha drejtoresha e Korpusit të Paqes në Maqedoni, Kejtllin Kori.
 
Ademi, thotë se secilin vit Korpusit i Paqes dërgon 35 vullnetarë, të cilët japin mësim për gjuhën angleze nëpër shkolla fillore dhe të mesme, duke u përfshirë edhe në edukimin mjedisor dhe duke punuar me organizatat joqeveritare dhe Pushtetin Lokal.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI