Dita Botërore Kundër Tregtisë me Njerëz, rritet numri i femrave të keqpërdorura

29.07.2021 13:32

Pandemia me Kovid-19 ndikoi në rritjen e tregtisë me njerëz...

Pandemia me Kovid-19 ndikoi në rritjen e tregtisë me njerëz në nivel botëror. Rreziku më i madh është evidentuar te gjinia femërore, të cilat shpeshherë kanë qenë të dhunuara, të detyruara në martesë, apo fizikisht të maltretuara.

Kështu tregojnë raportet e Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, e cila në nivel vjetor siguron asistencë për tetë mijë viktima.

Të keqpërdorur ka edhe nga gjinia mashkullore dhe shpesh keqpërdoren për punë të detyrueshme, ndërsa fëmijët e vegjël shfrytëzohen si lypsarë.

“Kemi pasur katërmbëdhjetë viktima të tregtisë me njerëz nga gjinia femërore edhe atë dhjetë fëmijë dhe katër të rritura. Diku për 76 për qind është rritur trendi i pjesëmarrje së fëmijëve si viktima të tregtisë me njerëz.”,- deklaroi koordinatori për luftë kundër tregtisë me njerëz, Magdalena Nestrovska.

Kontrabanduesit viktimat e tyre më së shpeshti i kanë rekrutuar përmes internetit, por e kanë shfrytëzuar edhe krizën me migrantët.

Për shkak të dëshirës që të shkojnë në vendet perëndimore, shumë njerëz kanë përfunduar në zinxhirin e tregtisë me njerëz.

Identifikimin e viktimave në vend e bëjnë pesë ekipe mobile të obliguar për identifikimin e viktimave dhe dhënien e ndihmës. (Flutura Latifi, TVM2)