Kuvend, miratohet Ligji për Shtetësi
Me 57 vota “për” dhe 32 vota “kundër”....

Me 57 vota “për” dhe 32 vota “kundër” deputetët në Kuvend miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Shtetësi. Kjo zgjidhje ligjore sipas opozitës shqiptare do të zgjidh problemin e të gjithë qytetarëve të cilëve si e drejtë u ishte mohuar.
“Nënshtetësia është vetëm një fjalë goje, por nga ana tjetër është determinues për jetën dhe mirëqenien që e ka çdo qytetarë. Kjo do të jetë një bazë e mirë në mënyrë që të arrihet edhe kjo e drejtë e këtyre qytetarëve që u është mohuar me dekada të tëra e një të drejte të tillë.”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
“Sot Kuvendi i RMV-së me miratimin e këtij ligji ka pranuar një që ua ka bërë këtyre qytetarëve dhe njëkohësisht prej sot dhe andej ua njeh këtë të drejtë dhe besoj se në të ardhmen nuk do të ndodhin gjëra të tilla të këtyre përmasave për të diskriminuar qytetarët në këtë nivel.”,- tha kryetari i AAA-së, Afrim Gashi.
Ndërkohë opozita maqedonase u shpreh kundër miratimit të ligjit.
“Dua të them se që nga fillimi i miratimit të kësaj zgjidhje ligjore u shkel rregullorja, ligjet dhe kushtetuta e Republikës së Maqedonisë.”,- theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Ndryshimet e ligjit parashikojnë që shtetësia të mund të merret me parashtrimin e dokumenteve personale, certifikatë të lindjes, librezë pune, fletë-pronësi, fatura për obligimet komunale, librezë shëndetësore, tatime të paguara si dhe disa dokumente të tjera.
Ligji ishte dorëzuar me flamur evropian për t’i ikur bllokadës që krijonte opozita maqedonase. Ky ligj hy në fuqi që nga publikimi i tij në Gazetën zyrtare. (Naim Ramadani, TVM2)
