Forumi ekonomik, Zaev: Fillimisht të bashkuar, më pas të integruar
Nismë e hapur dhe inkluzive....

Nismë e hapur dhe inkluzive, vlerësohet bashkimi i forcave ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Kryeministri i vendit, Zoran Zaev, tha se vetëm kështu do të na vlerësojë më shumë edhe Europa. Fillimisht të bashkuar e më pas të integruar, tha Zaev, i cili ftoi edhe Bullgarinë t’i bashkëngjitet treshes ballkanike.
“Edhe Europa Perëndimore, Veriore dhe Qendrore do të na respektojë më shumë dhe do të bashkëpunojë me ne më shumë nëse jemi të bashkuar. Mbetemi të hapur dhe gjithkush mund të zgjedh se në cilën pjesë të iniciativës mund të na bashkëngjitet nëse është për të mirën e qytetarëve të tyre. Uroj që Bullgaria të formojë qeverinë, dhe ne vazhdojmë të bisedojmë derisa nuk gjejmë zgjidhje. Edhe ata mund të bashkëngjiten nëse duan, pasi që ky është Ballkan, edhe pse janë anëtare e BE-së. Porosis se rajoni është i vogël, duhet të bashkëpunojmë dhe më pas të integrohemi pasi edhe kjo sjell benefite për qytetarët tanë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Rama: Bashkëpunimi zgjidh ndasitë e së kaluarës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se bashkimi i forcave është një hap që nesër do të bëhej në BE.
Ai thotë se marrëveshjet e tilla do t’i zbatonte edhe me Kosovën nëse bëhet pjesë e “Ballkanit të hapur”, që synim parësor ka ndërveprimin ekonomik dhe mund të tejkalojë edhe ndasitë e së kaluarës midis Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse del dikush edhe thotë për këtë nismë ja ku është e keqja, ja ku është konspiracioni, ja ku është e fshehta, por me fakte, atëherë unë kërkoj falje, po këtu s’ka asnjë të fshehtë asnjë të keqe, s’ka asnjë konspiracion. Kjo është nismë që i flet të ardhmes dhe që komunikon me të ardhmen dhe sa më shumë ne të komunikojmë për të ardhmen aq më shumë do të kemi lehtësi për të trajtuar të shkuarën. E shkuara nuk mund të mbaj peng popujt, kështu që jemi gati për të gjitha këto marrëveshje t’i bëjmë me të gjithë.”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Vuçiq: Bashkëpunimi i hapur, për përparim ekonomik
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se bashkëpunimi mbetet i hapur për të gjitha vendet e rajonit, por vetëm për përparim ekonomik.
“Nga fillimi ne thamë se të gjithë mund të merrnim pjesë, por të jemi korrekt: ajo që na ndanë të mos imponohet si çështje kryesore, ne do të duhet të vazhdojmë të punojmë ekonomikisht e jo për të zgjidhur çështjet tona dypalëshe të cilat jo shumë shpejtë po i zgjidhim. Por kur thoni që dikush nuk është mjaft i përgatitur të hyn në këtë iniciativë edhe nëse kërkon përjashtime nga Serbia. Nëse për ju është nënçmuese të thoni Kosova me yll, vendosni Serbinë me katror pranë saj , unë nuk kam kurrfarë problemi, vetëm na lejoni të tregtojmë dhe ta zhvillojmë ekonominë.”,- u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Qeveria e Kosovës: Kjo iniciativë nuk e ka përkrahjen e Kosovës
Por Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me iniciativën e “Ballkanit të hapur”. Nga Zyra e kryeministrit, Albin Kurti, kanë thënë se kjo iniciativë nuk e ka miratimin e Kosovës.
“Qëndrimet tona për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur “Mini-Schengen”, tashmë janë të njohura. Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne i ashtuquajturi "Mini Shengen" është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.”,- thonë nga Zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës, duke i ftuar liderët e rajonit që t’i përkushtohen agjendës evropiane. (Meral Ismaili, TVM2)
