“Mini shengeni” riemërtohet në “Ballkani i Hapur”, Zaev, Rama dhe Vuçiq nënshkruan tri marrëveshje

29.07.2021 16:44

Tre marrëveshje prodhoi takimi i sotëm në Shkup....

Tre marrëveshje prodhoi takimi i sotëm në Shkup mes kryeministrave, Zoran Zaev, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. 

Marrëveshja e parë parasheh: mobilizimin e të tre vendeve për sa u përket përballjes me katastrofat eventuale natyrore. Nëse një katastrofë natyrore godet një vend, do të mobilizohen të tre vendet për të ndihmuar.

Marrëveshja e dytë parasheh: mirëkuptimi për të lehtësuar importin dhe eksportin e mallrave. Përkatësisht zero minuta vonesa në kufi nga viti 2023. Dhe marrëveshja e tretë parasheh: qarkullim të lirë në tregun e punës. Mundësimin e qasjes së lehtë në tregun e punës dhe marrjen e lejeve të qëndrimit. Këto marrëveshje u tha se do të sjellin të mira për qytetarët, për ekonominë dhe lëvizjen e lirë të bizneseve.

“Ideja se si ta heqim gjithë këtë situatë për qindra e qindra kamionë që presin në kufi në Qafë Thanë apo në çdo pikë kufitare mes nesh. Na duhen dy gjëra, së bashku ministrat tanë të financave duhet të kenë një program softuer, të lidhin sistemin tonë të TVSh-ve që është dhënë si ide nga ekspertë duke hequr të vetmen pengesë pse kamionët presin në kufij sepse faturimi, dokumentacioni, kontrollet tatimore mund të bëhen vetëm përmes zbatimit dhe ndërlidhjes së soutverëve të TVSh-ve.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

“Objektivi që i kemi vendosur vetes është që brenda vitit të ardhshëm i gjithë sistemi i qarkullimit jo vetëm i njerëzve, por edhe i mallrave, kapitali i shërbimeve të jetë 100 për qind i njësuar me BE-në, madje kemi rënë dakord që do të fusim edhe sistemin e integruar të informacionit të TVSh-së midis vendeve tona.”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Deri më tani nuk kemi qenë elastikë për të dhënë leje pune për të huajt që ju e dini shumë mirë ka një nevojë shumë të madhe për krahun e punës që mund të vijë nga jashtë dhe pas ndryshimit të legjislacionit përpara 15 tetorit, kjo nënkupton se duhet të kemi të gjitha regjistrat e të tria vendeve të unifikuara dhe kështu do të kemi lehtësi që të shihni se për çfarë profile të punëtorëve keni nevojë, si mund t’i kontaktoni ata e kështu me radhë.”,- theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky samit tani e tutje do të quhet “Ballkani i hapur” dhe jo “Mini Shengeni Ballkanik”, siç u quajt fillimisht. Samiti i ardhshëm do të mbahet në muajin nëntor në Beograd. (Zekirja Mexhiti, TVM2)