KShZ mohon pretendimet e revizionit

29.07.2021 16:56

Anëtarët e KShZ-së kategorikisht hodhën poshtë pretendimet...

Anëtarët e KShZ-së kategorikisht hodhën poshtë pretendimet e Entit Shtetëror të Revizionit se KShZ-ja gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve lokale në Ohër, Dibër dhe Novo Sellë, ndaj komisioneve komunale zgjedhore ka bërë pagesa pa dokumentacionin e nevojshëm dhe të plotësuar fiskal.

Nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu, thotë se KSHZ nuk ka regjistër elektronik, por kjo nuk do të thotë se nuk ka vendime në formë të shkruara, ku dëshmohet se pagesat janë bërë konform Kodit Zgjedhor dhe rregullores së punës së komisionit.

“Shlyerja e pagesave të komisioneve komunale zgjedhore KShZ-ja e ka bërë në bazë të vendimeve që i kemi këtu. Vendime të cilat komisionet komunale vetë i kanë plotësuar këtu dhe të gjitha këto vendime përsëri do t’i dorëzohen Entit Shtetëror të Revizionit. Sa përket aplikacionit elektronik duam të sqarojmë se KShZ-ja nuk ka bazë ligjore t’i ruajë numrat amë dhe xhirollogaritë e 34.800 këshillave zgjedhorë, mirëpo me qenë se Enti për Revizion na rekomandoi, KShZ do t’i drejtohet Agjencisë për mbrojtjen e të dhënave personale për të marrë mendim, nëse kemi ose jo ne bazë ligjore t’i ruajmë në formë elektronike të gjitha xhirollogaritë e 34.800 këshillave zgjedhorë.”,- tha nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.

Kohë më parë revizorët konstatuan se prej gjthsej 80 komisioneve zgjedhor lokal, 23 ose 31% të tyre nuk kanë dorëzuar raporte pune deri tek KShZ-ja edhe pse Kodi Zgjedhor e parasheh këtë gjë me detyrim, gjë e cila nuk është e pranueshme për anëtarët e KShZ-së, pasi që ekzistojnë dokumente të arkivuara.

Revizorët konstatuan se KShZ nuk ka regjistër fiskal për menaxhimin e 5 milion denarëve me të cilat janë paguar 154 persona të angazhuar si trupa ndihmëse në zgjedhjet e kaluara pa kritere matëse.

Në ndërkohë, KShZ miratoi kërkesat e disa anëtarëve të komisioneve komunale që për arsye shëndetësore dhe familjare kishin kërkuar të largohen dhe në vendet e tyre u zgjodhën anëtarë të rinj. (Rexhep Qamili, TVM2)