Kuvend, u miratua rezoluta që cakton linjat e kuqe
Me 95 vota “për” dhe asnjë “kundër”....

Me 95 vota “për” dhe asnjë “kundër”, kuvendi e miratoi Rezolutën e cila përcakton linjat e kuqe në bisedimet me Bullgarinë, në kontekst të bllokadës së integrimeve euroatlantike.
Rezoluta ishte propozuar nga grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ndërsa u mbështet edhe nga deputetët e shumicës, por me një amendament shtesë të propozuar nga LSDM, që rezoluta të mbante emrin kushtetues të vendit.
“Përcjellim porosi të zëshme dhe të qartë se qytetarët e Maqedonisë dhe gjithë shoqëria janë plotësisht të gatshëm për fillim të menjëhershëm të negociatave qasëse të BE-së, por vetëm nëse një proces i tillë bazohet mbi respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe parimet, vlerat evropiane dhe bazë të tërësishme të barabartë dhe parimore.”,- tha Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
“Është e nevojshme të kërkojmë zgjidhje për çështjet e hapura me Republikën e Bullgarisë në suaza të marrëveshjes për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë duke mos dëmtuar linjat tona të kuqe që janë qartë të vendosura sa i përket gjuhës, identitetit dhe veçorisë. Ne nuk kemi e as që kemi pasur ndonjëherë alternativë për BE-në dhe NATO-n.”,- theksoi Jovan Mitrevski nga LSDM.
Rezoluta u mbështet edhe nga partitë shqiptare.
“Identiteti kombëtar, shtetëror, gjuhësor, kulturor, nacional nuk është çështje për diskutim, nuk është çështje për marrëveshje politike, nuk është dhe nuk do të jetë çështje e ndonjë marrëveshje eventuale ndërshtetërore. Si shqiptarë solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë maqedonas çdoherë kur të ndjehen se po u cenohet gjuha e kultura, sepse ne më së miri e dimë se çdo të thotë të të cenohet apo pengohet përdorimi i gjuhës amtare, kulturës e historisë.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.
“Ne si shqiptarë do të rrimë përkrah identitetit tuaj, sepse është e drejta juaj njerëzore e demokratike. Ne mund të kemi mosmarrëveshja rreth keqmenaxhimit të Qeverisë apo raporteve pozitë-opozitë, por rreth çështjeve shtetërore nuk kemi mosmarrëveshje së paku ne shqiptarët, andaj kërkoj të njëjtën gjë ta bëni edhe ju.”,- theksoi Skender Rexhepi nga Aleanca për shqiptarët - AAA.
“Për disa çështje për të cilat dihet qëndrimi ynë ndoshta edhe nuk ka nevojë të përkufizohen me rezoluta e dokumente. Për çështje që janë të paprekshme, për çështje që kanë të bëjnë me identitetin etnik, gjuhën, kulturën dhe vetëvendosjen. Askush nuk mund t’i tregojë apo imponojë dikujt se çfarë përkatësie etnike është, si quhet gjuha e tij dhe çfarë historie ka pasur, aq më tepër dikush nga jashtë.”,- u shpreh Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.
Për kryetarin e së Majtës, fajtorë për veton e Bullgarisë është Zaev dhe Marrëveshja e Prespës.
“Politika jonë e jashtme duhet të fokusohet drejt alternativave pasi që ne edhe shumë gjatë do të qëndrojmë në dhomën e pritjes së BE-së. Në shikim rezoluta tregon se të paktën për shijen tonë është mjaft bening e shkruar në mënyrë të qartë e diplomatike.”,- tha Dimitar Apasiev nga E Majta.
Rezoluta mes tjerash kërkon që negociatat me BE-në të zhvillohen në mënyrë të paanshme dhe në baza parimore duke u respektuar e drejta ndërkombëtare, pa kushtëzime dhe me respektim të dinjitetit të popullit maqedonas, të respektohet autoktonia e popullit maqedonas dhe kontinuiteti historik, gjuhësor, kulturor dhe religjioz, eurointegrimi të varet nga angazhimi dhe përpjekja e Shkupit në zbatimin e kritereve, të respektohet e drejta e vetëpërcaktimit dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
