Seancë solemne në Kuvend, shënohet 20 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit
Marrëveshja e Ohrit i hapi horizonte të reja vendit....

Marrëveshja e Ohrit i hapi horizonte të reja vendit, përparoi demokracinë e brendshme dhe siguroi më shumë të drejta për të gjithë qytetarët. Kjo u tha gjatë seancës solemne në Kuvend kushtuar Marrëveshjes së Ohrit.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se pa Marrëveshjen e Ohrit, Maqedonia e Veriut do të ishte vend i pazhvilluar me probleme të brendshme të pazgjidhura.
“Mospasja fare e marrëdhënieve paraqiste urë pengimi dhe pengesë për zhvillimin e vendit, pengesë për përparimin, integrimin dhe kontributin në procese dhe veprime rajonale, evropiane dhe botërore. Nuk mund të kontribuosh normalisht nëse nuk ke raporte të relaksuara brenda në shtëpi me respekt të ndërsjellë të secilit anëtar të familjes, qoftë ai edhe anëtari më i vogël.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Edhe pse pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit është miratuar, zëvendëskryeministri, Artan Grubi, u zotua se politika shqiptare gjithmonë do të veprojë për zbatimin e kësaj marrëveshje në praktikë.
“Pjesa normative e Marrëveshjes është miratuar, por zbatimi i saj është i përjetshëm, i përditshëm, në çdo veprim, sepse Kushtetuta dhe ligji zbatohen çdo ditë, e Marrëveshja e Ohrit sot është edhe kushtetutë edhe ligj.”,- tha zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Marrëveshja e Ohrit nuk ishte dobiprurëse vetëm për shqiptarët, por edhe për bashkësitë tjera etnike në vend, thanë të pranishmit në këtë manifestim.
“Shënimi i 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit është jubilej i madh për të gjithë, para së gjithash për shtetin, e cila me Marrëveshjes kornizë të Ohrit së pari i dha fund konfliktit, i cili mund të rritej në një luftë civile me pasoja të tmerrshme, i qetësoi dhe stabilizoi marrëdhëniet ndëretnike. Dhe, pas 20 viteve vazhdoi të jetë faktor pozitiv në zhvillimin dhe prosperitetin e shtetit.”,- u shpreh anëtari i komitetit, Zeqir Rançilloviç.
“Ejani të gjithë të rinjtë tanë edhe Aleksandri, edhe Arbeni, Sadijes, Safeti t’u sigurojmë atë që gjithkujt i duhet, arsimim cilësor, të punësohet me sistem-merite, e jo sipas përkatësisë partiake, të investojnë në Maqedoni, por së pari Maqedonia të investojë në ato.”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Jovanovska Stojanovska.
“Kjo marrëveshje kornizë do të promovojë zhvillimin e qetë dhe në harmoni të shoqërisë civile. Njëkohësisht duke respektuar identitetin etnik të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.”,- theksoi deputeti i PEPR-së, Samka Ibrahimovski.
Në seancën solemne morën pjesë përfaqësues qeveritar, deputetë, si dhe anëtarë të Komitetit për Marrëdhënieve të Bashkësive. (Ersan Pajaziti, TVM2)
