Maqedoni
Besimi: eurointegrimet mbeten prioritet strategjik për Maqedoninë
05.12.2014 16:06
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel...

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, realizoi takim pune me raportuesin e ri për Republikën e Maqedonisë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgëlin, me çka përgëzoi raportuesin për zotimin e mbështetjes së Maqedonisë për të ndihmuar vendin në integrimin në strukturat euroatlantike.
“Integrimi euroatlantik mbetet prioritet strategjik kyç në vendin tonë. Gjithashtu, theks të veçantë vuri mbi planin e veprimit të përgatitur sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe për prioritetet që janë kyçe në procesin e aderimit në BE, të konfirmuara me dialogun e aderimit në nivel të lartë, siç janë: liria e të shprehurit dhe mediave, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrëdhëniet ndëretnike, reformat në administratën publike, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, bashkëpunimi rajonal, rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimi”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
Nga ana tjetër, eurodeputeti Vajgël theksoi gatishmërinë e tij për të mundësuar kontributin e mëtejmë për përkrahje të bashkëpunimit dhe për gjetjen e zgjidhjes lidhur me bojkotin e parlamentit nga ana e opozitës, si dhe seriozitetin e çështjeve lidhur me mediat, shoqërinë civile dhe sundimin e ligjit.
“Shpresoj që aderimi përfundimtar i Maqedonisë do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e vendit dhe të rajonit”- tha eurodeputeti Vajgël.
Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit Evropian, ashtu si deri më tani, do të vazhdojë me një tempo dhe dinamikë të fuqishme dhe me qasje e mbështetje të përbashkët në përmirësimin dhe realizimin e mëtejmë të reformave në çdo sferë shoqërore.
VALBON BEXHETI
