Valë e re në të gjithë botën, numri i infektimeve rikthejnë masat restriktive

30.07.2021 19:29

Numri i personave të vdekur nga COVID-19....

Numri i personave të vdekur nga COVID-19 në SHBA është rritur në 611.813, prej të cilëve 497 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit.

Numri i të infektuarve deri më tani, ka arritur mbi 34 milion. Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri në SHBA, me mbi 3,93 milionë raste të konfirmuara dhe 64.341 të vdekur. Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje shteteve të ofrojnë nga 100 dollarë për të vaksinuarit kundër koronavirusit, si përpjekje për të rritur shkallën e imunizimit në Shtetet e Bashkuara.

“Unë e kuptoj që shumë prej jush nga shumica jeni të irrituar me pasojat e dështimit të pakicës për t'u vaksinuar. Por unë dua t'ua bëjë me dije se do të vazhdoj të bëj gjithçka që mundem për të inkurajuar të pavaksinuarit që të vaksinohen. Iniciativa monetare mund të duket e padrejtë për amerikanët, që veçse janë vaksinuar, mirëpo “të gjithë ne përfitojmë nëse më shumë njerëz vaksinohen.”,- theksoi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Vendet e varfra ende po luftojnë për të marrë doza të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19, pavarësisht donacioneve të fundit nga vendet e pasura.

Në Afrikë numri i të infektuarve kalon shifrën 6.6 milion, shumica në këtë kontinent nuk janë vaksinuar.

Por nuk ndodh kështu me Evropën. Në Belgjikë përqindja e të rriturve të cilët janë plotësisht të vaksinuar ka arritur në 70.1%. Turqia rezulton të jetë rezulton të jetë shteti europian që ka pasur përhapjen më të madhe të virusit për gjatë javës së fundit. Numri i rasteve të reja pati një rritje me rreth 110 % krahasuar kjo me një javë më parë, autoritetet shëndetësore turke raportuan mbi 22 mijë raste për fundjave.

Gjendja e jashtëzakonshme edhe në Japoni. Kjo ka detyruar autoritetet që të shpallin gjendjen e izolimit në disa qytete pranë kryeqytetit, ku po zhvillohen Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në Japoni u regjistruan 10 mijë raste, vetëm në Tokio, tre ditë radhazi janë regjistruar mbi 3 mijë të infektuar.

“Infektimi më i madh pas Wuhanit”, shpërthen sërish COVID në Kinë. Variant delta është duke u përhapur me shpejtësi. Kjo ka bërë që shumë qytete të Kinës të kthejnë masat e rrepta. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)