Maqedoni
Sezoni turistik në Strugë, inspektime në objektet hotelierike
31.07.2021 16:35
Me fillimin e sezonit turistik kanë filluar inspektimet e intensifikuara nëpër objektet gastronomike...

Inspektorët së bashku me policët, në tri ndërrime, kryejnë kontrolle në objektet e hotelierisë në Strugë.
Nga inspektimet e bëra deri më tani, ata thonë se kanë arrit në përfundimin se restorantet dhe dasmorët janë të disiplinuar dhe respektojnë masat. Matet temperatura në hyrje të objekteve të hotelierisë, një numër i kufizuar i mysafirëve ulen në tavolina dhe ruhet një distancë e përshtatshme. Që nga fillimi i sezonit, vetëm një objekt hotelierik ka marrë gjobë për mosrespektimin e orarit të punës.
"Gjatë sezonit turistik nuk kemi vërejtur shkelje të masave antikovid, vazhdimisht inspektorët janë në teren, kemi kryer kontrolla edhe në shërbimet hotelierike që organizojnë evente si dasma, fejesa, nuk kemi evidentuar shkelje“, u shpreh drejtor i Inspektoratit të tregut në Strugë, Shpendim Iljazi.
Nga inspektorati thonë se shumica e ankesave të qytetarëve përsa i përket objekteve hotelierike janë ankesat për muzikë të lartë, por ata nuk janë kompetentë për atë.
"Për muzikë të lartë ne nuk jemi kompetent edhe pse kemi shumë ankesa në atë drejtim. Me protokollet antikovid na kanë dhënë si masë për ta kontrolluar por ne nuk kemi mjet për ta bërë atë kontroll, është në ingerencë të ambientit jetësor“, theksoi Iljazi.
Këto ditë, inspektorët do të kryejnë kontrolle të intensifikuara tek punëdhënësit që veprojnë në hapësirë të hapur në kushte të pafavorshme mikroklimatike të prekura nga vala e nxehtësisë dhe janë të ekspozuar ndaj rrezatimit të nxehtësisë.
Sipas Ligjit për Sigurinë dhe shëndetin në punë, punëdhënësi është i detyruar të sigurojë kushte të përshtatshme pune që nuk do të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
ILMIJE ZHAKU
