Kulturë

Mbrëmë u shfaq premiera “I burgosuri i katit të 15-të”

05.12.2014 16:14

“I burgosuri i katit të 15-të”, është titulli i premierës që u shfaq mbrëmë në Teatrin e Komedisë në Shkup...

Komedia me këtë titull intrigues u shkrua nga Neil Simon, kurse regjisor i saj është Donard Hasani, ndërsa u interpretua nga trupa e Teatrit Shqiptar të Shkupit.
 
Regjisori nga Tirana, Donard Asani, tha se kjo komedi edhe pse është shkruar nga një autor amerikan, është mjaft aktuale për realitetin tonë.
 
“Bëhet fjalë për një familje, e cila në asnjë moment nuk është e qetë nga faktorë të jashtëm, të cilët çojnë drejt rrezikimit të ekzistencës së unitetit dhe të qënësisë së kësaj familje”- deklaroi regjisori, Donard Hasani.
 
Dy protagonistët kryesorë të shfaqes u interpretuan nga Hamdi Rashiti dhe Vjollca Bekteshi-Hamiti. Hamdi Rashiti, pas premieres tregoi se i dukej sikur ky rol është shkruar për të.  
 
“Shumë e gjej veten dhe është shumë e prekshme, shumë e realtë, unë e ndjeva dhe mu duk sikur ky rol është shkruar për mua”- tha aktori, Hamdi Rashiti.
 
NërsaVjollca Bekteshi theksoi se u ndje shumë mirë nga duartrokitjet e publikut.
 
“Ka qënë një bashkëpunim i mrekullueshëm, së pari me regjisorin, pastaj me koleget e mija, që më kanë pëkrahuar, që më kanë dashur, më kanë dhënë fuqi të mos ndjej emocion”- u shpreh aktorja, Vjollca Bekteshi-Hamiti. 
 
Në rolet e tjera interpretuan Musbajdin Qamili, Flora Kadriu, Drita Kaba-Karaga dhe Teuta Ajdini-Jegeni. 
 
Skenografia u bë nga Erald Bakalli, kostumografia nga Genta Spahjia-Mirzo, kurse asistent-regjisor ishte Genci Mirzo. 
 
Publiku e priti me të qeshura lojën e aktorëve, duke i përshendetur herë pas here me duartrokitje.
 
MERITA ÇOÇOLI