Covid 19, protesta kunder masave anticovid
Qindra demonstrues dolën në rrugët e Berlinit....

Qindra demonstrues dolën në rrugët e Berlinit për të protestuar kundër masave anticovid. Ata sfiduan urdhrin për ndalimin e protestës të urdhëruar nga gjykata të dielën dhe u mblodhën në rrugët e Berlinit, duke u përplasur me policinë. Autoritetet thanë se nuk mund të lejonin që tubimet të vazhdonin për shkak të frikës se pjesëmarrësit do të shkelin rregullat për vendosjen e maskave dhe distancimin shoqëror, në një kohë kur numri i infeksioneve në Gjermani është përsëri në rritje.
Gjermania ka shtrënguar masat në kohën e pandemisë, duke i thënë stop testeve falas për të pavaksinuarit.
Një shpërthim i variantit të ri të covid në Kinë është përhapur në shumë vende. Shpërthimi i variantit Delta ka ngritur shqetësime, pasi më shumë se 300 raste janë zbuluar brenda një hapësire prej 10 ditësh.
Shtimi i rasteve të infektimeve në Francë ka detyruar shoqatat e mjekëve të propozojnë vaksinimin e detyrueshëm të të gjithë popullsisë. Propozimi erdhi pasi në Francë, këtë javë infektimet ditore arritën nivelet e valës së periudhës së përhapjes Mars – Prill me mbi 20 mijë raste.
Në Britaninë e Madhe, autoritetet po përpiqen të joshin përmes ofertave, të rinjtë skeptikë për t’u vaksinuar.
Autoritetet propozojnë uljen e çmimeve të transportit publik dhe në restorante, për ata persona që vaksinohen.Pak ditë më parë edhe presidenti amerikan Joe Biden propozoi 100 dollarë për ata persona që pranojnë të vaksinohen.
Infektimet ditore në Shtetet e Bashkuara janë në nivelin e Shkurtit me mbi 100 mijë raste, periudhë në të cilën përfundoi vala e tretë.
Në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë Europën, vaksinimi shihet si mënyra e vetme për të frenuar rritjen e shifrave të viktimave.
Kjo vërtetohet edhe nga fakti se përhapja e mutacionit indian nuk ka shkaktuar shtim të viktimave në vendet me proces të përparuar vaksinimi.
E kundërta ndodh në Rusi, ku me valën e përhapjes së variantit indian, viktimat ditore janë në nivelet më të larta për gjithë periudhën e pandemisë, e ku vaksinimi vijon me ritme shumë të ulëta.
REJHANE BUSHI METAJ
