Maqedoni
Popullata po ndërgjegjësohet për pagesë pa dhunë
05.12.2014 17:37
Qytetarët i padisin përmbaruesit, mirëpo në të shumtën e rasteve ato padi janë të pabaza dhe janë dorëzuar më së shumti në shenjë revolte nga kjo palë...

Ky është konstatimi i njohësve të veprimtarisë përmbarues dhe prokurorëve publik.
Sipas tyre, veprimtaria përmbaruese, e cila është në fuqi prej vitit 2006, është duke funksionuar me shumë pak gabime në drejtim të keqpërdorimit të pozitës dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
“Gjatë gjithë këtyre viteve kemi evidentuar rreth 106 padi penale të dorëzuara ndaj përmbaruesit, mirëpo një pjesë e madhe, ose mbi 95 për qind e këtyre lëndëve janë konstatuar si të pabaza dhe janë refuzuar nga ana e prokurorit publik”- deklaroi ish-ministri i Drejtësisë, Mihajlo Manevski.
“Numri i padive penale të dorëzuara deri më tani është shumë i ulët dhe i parëndësishëm. Ajo që mund t’u them është se paditë penale ndaj përmbaruesve në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me keqpërdorimin e pozitës së përmbaruesve dhe falsifikimin e ndonjë dokumenti zyrtar”- tha prokurori publik, Todor Vitlarov.
Për pasojat juridike nga zbatimi i kodit penal për vepra të kryera gjatë veprimtarisë së përmbaruesit nga të dyja palët, diskutuan në një tavolinë të gjitha palët në këtë proces.
Përmbaruesit pranojnë faktin se gabojnë, mirëpo shpesh herë edhe ata përballen me probleme serioze kur duhet të ndërhyjnë në pronat e qytetarëve, apo të bllokojnë xhirollogaritë.
Nevojiten sa më shumë takime, për t’i evituar të gjitha mangësitë gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.
“Jemi duke bërë gabime, për arsye se ne disa informacione nuk i dimë përpara për palët, sidomos kur bllokojmë xhirollogaritë e rasteve sociale të qytetarëve, ne nuk i dimë paraprakisht se ata marrin të holla nga ajo xhirollogari, për atë arsye mund të bëjmë ndonjë gabim, por e përmirësojmë menjëherë kur pala na tregon”- tha përmbaruesi, Premtim Qerimi.
“Qëllimi i këtyre takimeve është për t’i hapur të gjitha çështjet të cilat ne na mundojnë dhe të cilat mund të iniciojnë ngritje të padive penale ndaj përmbaruesve apo qytetarëve”- u shpreh kryetari i Odës së Përmbaruesve në Maqedoni, Zoran Petrevski.
Në Maqedoni janë gjithsej 99 përmbarues. Ata janë të detyruar t’i përpunojnë të gjitha rastet për ata të cilët nuk paguajnë me rregullt detyrimet ndaj shtetit, ndërmarrjeve publike dhe lëndët që kanë të bëjnë me konteste civile.
REXHEP QAMILI
