Maqedoni

Zjarr pyjor afër shtëpive në Koçani, zjarr edhe në Rankovc, digjen shtëpi

02.08.2021 21:44

Para pak çastesh zjarri që ka kapluar pyjet në afërsi të qytetit të Koçanit tashmë ka arritur afër shtëpive...

Banorët kanë shpërndarë fotografi nga zjarret teksa jo zyrtarisht mësohet se zjarri ka prekur disa shtëpi, ndërkaq raportohet se disa banorë tashmë janë evakuuar. Banorët kërkojnë ndihmë derisa ekipet e zjarrfikësve tashmë janë në terren dhe po ballafaqohen edhe me erën e fuqishme që po përhap zjarrin me shpejtësi.

Nga Armata e Maqedonisë njoftojnë se në terren kanë dërguar 30 persona. Ata janë në koordinim me Brigadën e Kundërzjarrit dhe po intervenojnë në shuarjen e zjarrit në Koçan.

Përpos Koçanit një zjarr i madh pyjor që shpërtheu sot pasdite në komunën e Rankovcit, kaploi sipërfaqe të madhe të pyjeve, ndërkaq u zgjerua edhe në një pjesë të vendbanimeve, Radibush dhe Otoshnicë, duke djegur edhe disa shtëpi.

Stuhia e madhe e zjarrit po kërcënon të zgjerohet edhe drejt fshatrave përreth, informoi kryetari i komunës, Ivica Toshevski.

“Ajo që për momentin mund ta them është se na gjeti katastrofë e madhe, zjarri literalisht e gëlltiti një shtëpi në fshatin Otoshnicë, janë djegur shtëpi, ka përfshirë edhe shtylla të energjisë elektrike, rryma është ndërprerë, presim ndihmë nga komunat fqinje dhe jemi në koordinim me Drejtorinë për mbrojtje dhe shpëtim dhe Qendrën për menaxhim me kriza, prej ku për ndihmë thirrëm edhe helikopterë për shuarje”, tha Toshevski.

Komandanti i Njësisë territoriale zjarrfikëse nga Rankovci tha se stuhia e zjarrit është e madhe, duke e krahasuar me zjarret në Kaliforni. Tha se rreziku ekziston edhe nga bashkimi i zjarrit me atë në komunën fqinje Nagoriçan i Vjetër.