Maqedoni
USHT: konferenca, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik
05.12.2014 17:44
“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, arritjet dhe sfidat” ishte tema e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare, që ka filluar sot në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tetovës...

Në kohën që po jetojmë, bashkëpunimi ekonomik, procesi i integrimit dhe ndikimi global ekonomik janë shndërruar në kryefjalë të debateve të ndryshme shkencore, tha me këtë rast prorektori për Arsim i USHT-së, prof.dr. Fehari Ramadani.
“Analiza ekonomike, sot është çështje aktuale për rajonin tonë dhe më gjerë, por kjo tematikë bëhet edhe më e veçantë për shoqëritë në tranzicion, të cilat synojnë integrimin euroatlantik dhe zhvillimet e trendeve bashkëkohore globale. Edhe përkundër sfidave të shumta, sot, ekonomia botërore po globalizohet, shtetet, ndër vite kanë bërë përpjekjet e tyre për të realizuar sistemin ekonomik të integruar”- deklaroi prorektori për Arsim i USHT-së, prof.dr.Fehari Ramadani.
“Kjo konferencë punimet e saj do t’i zhvillojë në këto fusha: ekonomi, kontabilitet dhe financa, marketing, menaxhment dhe turizëm”- tha koordinatorja e konferencës, Merale Fetai–Vehapi.
Dekanja e Fakultetit Ekonomik, Alifeta Selimi dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, Menderez Kuçi, vlerësuan se pavarësisht sfidave, zhvillimi ekonomik duhet t’i përbush nevojat e gjeneratave të reja.
“Ekonomia, si disiplinë shkencore, gjatë ecurisë historike të progreseve zhvillimore i ka përjetuar dhe i ka përballuar të gjitha sfidat dhe tronditjet që kanë ardhur nga rrethanat e ndryshme, qofshin ato të jenë subjektive ose objektive”- theksoi dekanja e Fakultetit Ekonomik, doc.dr. Alifeta Selimi.
“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik paraqet zhvillim i cili i përmbush nevojat e gjeneratave të tashme, pa mos e rrezikuar mirëqenien e gjeneratave të ardhshme, për t’i përmbushur nevojat e tyre”- tha kryetari i OEMVP-së, Menderez Kuçi.
Në këtë konferencë u promovua Revista Shkencore “Vizioni Ekonomik”, që botohet nga Fakulteti Ekonomik.
“Revista “Vizioni ekonomik”, ofron një mundësi të mirë për të kuptuar qasjen e disa alternativave teorike dhe empirike në dimensionin ekonomik, që kërkon bota akademike, shkencore, komuniteti i biznesit, hulumtuesit shkencor dhe studentët”- potencoi koordinatori i Revistës “Vizioni ekonomik”, mr.sc.Hasim Dehari.
Konferenca ka tubuar mbi 120 studiues, 78 prej tyre janë nga vendi, ndërsa 42 nga rajoni.
MIFTAR EMINI
