Maqedoni
Përurohet asfaltimi i rrugës në Studeniçan
05.12.2014 17:46
Komuna e Studeniçanit dhe Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, inauguruan asfaltimin e rrugës kryesore në fshatin Studeniçan...

Komuna e Studeniçanit dhe Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, inauguruan asfaltimin e rrugës kryesore në fshatin Studeniçan, e cila kap vlerën prej 7 milionë e 600 mijë denarë.
“Problemi më i madh është zgjidhur për vendbanimin e Studeniçanit, pasi jetojnë një numër i konsiderueshëm në këtë rrugë. Komuna për këtë projekt ka ndarë 5 milionë denarë, ndërsa 2 milionë e 400 janë dhënë nga Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim”- deklaroi kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki.
Në programin “Forume për bashkësinë”, ku inkuadrohen edhe qytetarët me dhënien e ideve dhe kyçjen në debate, ata zgjodhën rinovimin e rrugëve. Procesin e forumit në Komunën e Studeniçanit e realizoi Asociacioni i Iniciativave Demokratike.
Ambasadori zviceran, i cili ishte njëri nga donatorët kryesorë, tha se bashkëpunimi me shqiptarët ka qenë gjithmonë i mirëfilltë.
“Nuk mund të tregoj saktësisht se cilat janë planet tona në të ardhmen, por Zvicra vazhdon të jetë pjesëmarrëse dhe ndihmëse për sa i përket proceseve demokratike dhe vetëqeverisjes më demokratike dhe do të shohim deri në çfarë mase do të përfshihet edhe kjo komunë”- tha ambasadori i Zvicrës, Stefano Lacaroto.
Programi “Forume në bashkësinë”, ka për qëllim ta mbështesë procesin e decentralizimit në Maqedoni dhe t’u mundësojë qytetarëve të marrin pjesë në zhvillimin e bashkësisë lokale.
FARIJE DAUTI-BAKIU
