Botë
Shqipëri, zjarret shkaktojnë viktimë e parë
03.08.2021 20:14
Zjarret shënojnë viktimën e parë në Shqipëri. Andrea Haxhiaj 64 vjeç...

Zjarret shënojnë viktimën e parë në Shqipëri. Andrea Haxhiaj 64 vjeç ka humbur jetën teksa përpiqej të shuante flakët që kishin përfshirë bahçen e tij në fshatin “Asim Zenel” të Gjirokastrës. E plagosur rëndë ka mbetur bashkëshortja e tij, e cila është transportuar menjëherë drtejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
I asfiksuar gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve ka mbetur edhe një efektiv ushtrie. Problematike përveçsë në “Asim Zenel”, situata është edhe në fshatrat Krinë dhe Arshi Lengo. Të favorizuara nga erërat e forta, flakët kanë depërtuar pranë banesave.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka udhëtuar drejt Gjirokastrës, duke kërkuar evakuimin e menjëhershëm të banorëve.
“Është një situatë shumë e vështirë. Ne do të bëjmë më të mirën me të gjitha forcat që kemi këtu dhe me forcat ajrore që po zhvendosen drejt Gjirokastrës... Ju lutem banorëve të bashkëpunojnë me policinë, të dalin nga banesat”, u shpreh Peleshi.
Kritike është situata edhe në Vlorë, nga zjarret e 10 ditëve të fundit janë djegur mbi 600 hektarë pyje. Në kulmin e sezonit turistik, zjarret kanë përfshirë gadishullin e Karaburunit, malin e Dukatit dhe po i afrohen Qafës së Llogarasë. Forcat e ushtrisë të mbështetur nga 1 helikopter po përpiqen të vënë në kontroll situatën, por duket se kjo do të jetë e vështirë, pasi flakët të favorizuara nga era po përhapen me shpejtësi.
LULJETA NDOKA
