Zjarr pranë Athinës, evakuohen banorët

04.08.2021 13:27

Mijëra njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë në veri të Athinës....

Mijëra njerëz u detyruan të largohen nga shtëpitë në veri të Athinës pasi një zjarr i madh iu afrua zonave rezidenciale të martën.

Situata ndodhi një ditë pasi kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia po vuan “periudhën më të nxehtë të 30 viteve të fundit”. Periudha e nxehtë e vitit 1987 u mori jetën më shumë se 1,100 personave në Greqi.

Flakët, që kanë përfshirë një zonë pyjore në Tatoi, rreth 20 kilometra në veri të Athinës, shkaktuan një re të madhe tymi që mbuloi një pjesë të kryeqytetit të Greqisë.

Banorët e rrethinave u larguan nga shtëpitë, duke iu drejtuar drejtuar qytetit. Temperaturat të hënën arritën 45 gradë celsius në disa vende të Greqisë, ndërsa të martën në Athinë termometri shënoi 42 gradë.

Autoritetet kanë mbyllur sitet arkeologjike, duke përfshirë edhe Akropolin.

Pas fikjes së zjarreve, banorët e Varibobit në Greqi po numërojnë dëmet materiale që iu shkaktuan si pasojë e flakëve. Dëmi është i konsiderueshëm sepse ka djegur shtëpitë dhe makinat e tyre. Ndërsa situata duket më e qetë, zjarrfikësit janë duke qëndruar në gatishmëri për çdo ringjallje të mundshme të vatrave, ndërsa mjetet fluturuese janë duke vepruar akoma nga ajri.

Në kryqëzimin e rrugëve Chalkidos dhe Chlois, zjarri dogji edhe shumë banesa, të cilët ishin shumë pranë me pyjet, por fatmirësisht nuk pati humbje në jetë njerëzish.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, tha se zjarrfikësit bënë një punë të mirë në meanxhimin e situatës, ndërsa theksoi se sapo situata të vihet në normalitet do të nisë puna për regjistrimin e dëmeve dhe të gjitha shtëpitë që janë dëmtuar do të rindërtohen.

“Ne patëm një natë shumë të vështirë. Unë mendoj pozitivisht për faktin se nuk kemi pasur humbje në njerëz. Sistemi i evakuimit funksionoi në mënyrë perfekte. Infrastruktura kritike u durua. Shtëpitë do të rindërtohen”, tha Mitsotakis.

Autoritetet thonë se thatësira e madhe dhe erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e zjarreve edhe në zona të tjera të Greqisë. Në zonën bregdetare të Peloponezit dhe ishujt Evia dhe Kos qindra banorë u detyruan të shpërnguleshin.

Qeveria greke ka ngritur shqetësimin se ndryshimet klimaterike po kthehen në kërcënim serioz, pasi vetëm dy ditët e fundit janë numëruar 116 vatra zjarresh.