Botë
OKB: Thaçi e Vuçiçi, të gatshëm për vazhdimin e dialogut
05.12.2014 18:04
Kosova dhe Serbia janë të përkushtuara të vazhdojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe...

Kështu deklaruan në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por duke shfaqur pikëpamje të ndryshme rreth zhvillimeve në Kosovë.
Kryeministri Thaçi, tha se zvarritja e procesit të ndërtimit të institucioneve asnjëherë nuk u shndërrua në krizë të dhunshme dhe paralajmëroi se java e ardhshme do të shënojë fundin e bllokadës.
“Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën, që garanton normalizim të marrëdhënieve, por ka ende shumë rezistencë që kjo marrëveshje të realizohet në tërësi. Unë edhe sot dua të rikonfirmoj se Republika e Kosovës do të zbatojë çdo obligim që kemi marrë për të integruar minoritetin serb”- deklaroi Thaçi, duke i bërë thirrje Serbisë “që të kthejë faqen e re përfundimisht dhe të ketë një sjellje moderne dhe evropiane ndaj Kosovës”.
Ndërsa kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Beogradi është i prerë në qëndrimin e tij “për të mos e njohur shkëputjen e dhunshme dhe në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare të Kosovës dhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë së saj, por kjo nuk është pengesë për bisedime dhe komunikim më të ngjeshur me Prishtinën”.
