Botë
Ballkani në flakë, vazhdon lufta me zjarret në Turqi e Greqi
04.08.2021 18:46
Shumë shtete vazhdojnë të jenë të “pushtuara” nga vatrat aktive të zjarrit që kanë shkrumbuar sipërfaqe...

Shumë shtete vazhdojnë të jenë të “pushtuara” nga vatrat aktive të zjarrit që kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha të pyjeve dhe zonave të banuara. Më e rrezikshmja vazhdon të mbetet Turqia ku, 11 vatra të zjarrit vazhdojnë të mbeten aktive, nga 163 që ishin në fillim. Nga këto zjarre kanë humbur jetën 8 persona dhe janë prekur 18 rrethe, 78 fshatra, 2 mijë e 219 fermerë në 5 krahina të ndryshme. Turqisë i kanë ardhur në ndihmë edhe shumë vende të tjera përfshirë edhe Bashkimin Europian, si dhe shumë vullnetarë nga vendi.
“Zjarri u përhap shumë shpejt. Ishte si një bombë. Unë nuk kam parë asnjëherë një gjë të tillë, nuk ishte si zjarr, por ishte si shpërthim i një bombe.”, tha Mevlut Tarim, bujk.
“Ne nuk kemi ndërmend të kthehemi, ne duam të jemi këtu. NE do të japim gjithçka çfarë kemi, për të shpëtuar shtëpi, për të shpëtuar çdo jetë. Ne nuk duam t’i lëmë këta njerëz këtu, do të qëndrojmë edhe më tej.”, tha Lemis Seper, vullnetare.
Edhe në Greqi situata me zjarret është alarmante. Temperaturat e larta me mbi 45 celsius kanë bërë që të shkaktohen zjarre kudo nëpër shtetin grek, madje edhe në zonat e banuara në periferi të Athinës.
“Në 48 orët e fundit ne kemi pasur 116 zjarre. Më e rrezikshmja ka qenë në ishullin e Rodosit. Ka qenë një natë e vështirë. Fuqia e zjarrit tani më gradualisht ka rënë në 99% të ishullit që nga e hëna. Zjarrfikësit dhe forcat tjera mbrojtëse kanë punuar shumë fort.”, tha Nikos Hardalias, minister i mbrojtjes së Greqisë.
Sardenja, Siçilia, Kalabria dhe bregdeti i Adriatikut janë më të prekur nga zjarret në Itali ku shkak për vatrat e zjarrit janë bërë temperaturat e larta në disa vende, e në disa të tjera mendohet se ka qënë e qëllimshme. Rreth 20 mijë hektarë tokë janë djegur atje si pasojë e zjarreve, 1.500 persona janë evakuuar. Një shtetas shqiptar dhe një italian kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen për zjarrëvënie të qëllimshme në Troina të Siçilisë. Mediet italiane bëjnë me dije se janë arrestuar në flagrancë 25-vjeçari shqiptar dhe një 80-vjeçar italian, të dy fermerë të zonës.
BELINDA KOKA ADEMI
