Maqedoni
Vazhdon lufta me stuhinë e zjarrtë, zjarre aktive në gjithë territorin, situata serioze
04.08.2021 20:08
Gjendja me zjaret aktive në vend vazhdon të mbetet serioze....

Gjendja me zjaret aktive në vend vazhdon të mbetet serioze. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza, njoftojnë se zjarre ka në gjithë territorin e shtetit ku aktualisht ka 10 vatra aktive, disa prej të cilave janë jashtëzakonisht serioze, dhe të tjerat janë të kategorisë së mesme.
Një zjarr i madh që shkatërron një pyll me pisha mes Delçevës dhe Pehçevës. Në shuarje po marrin pjesë zjarrfikës nga Berova, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, por edhe popullata vendase.
Për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të larta, menjëherë pas mbërritjes së pesë helikopterëve në rajonin e Pehçevës, komandanti i skuadriljes mori një vendim për tërheqjen e tyre. Helikopterët do të nisen përsëri pasi temperatura e ajrit të bjerë me disa gradë.
Katër helikopterë ndërhynë në fshatin Drenak të komunës Staro Nagoricane, përveç zjarrfikësve, rreth 30 ushtarë të ushtrive maqedonase dhe serbe punojnë në lokalizim e tij. Në intervenim për shuarjen e zjarit kanë marrë pjesë tre helikopterë nga Serbia, së bashku me një helicopter nga Armata e Maqedonisë. Nga e marta, kur zona u përfshi nga zjari, janë djegur 14 shtëpi dhe 1 shkollë.Gjendja më serioze vazhdon të mbetet në Vallandovë, në lokalitetin Pogana. Zjarri po përhapet në drejtime të ndryshme, sepse era në një vend fryn në një drejtim, e vetëm 500 metra më tej, në një drejtim tjetër. Ushtria, punonjësit e kompanive pyjore dhe zjarrfikësit po marrin pjesë në shuarjen e tij. Është dakorduar që në këtë vatër aktive të asistojë edhe një helikopter nga Armata.
Gjendje e rëndë edhe në Makedonski Brod. Atje era ndryshoi drejtim kështu që zjarri iu afrua njërit prej fshatrave. Ka anëtarë të Brigadës së Zjarrit, policisë dhe ushtrisë.
Zjarri në zonën e fshatit Konjuh në Kumanovë, i cili filloi të martën rreth orës 12:00, është ende aktiv në terrene të paarritshme për automjetet. Në Lepec zjarri është lokalizuar por ende ka flakë në fshatrat përballë. Atje janë djegur disa shtëpi dhe hapësira ndihmëse. Kreu i Kumanovës premtoi ndihmë por pret nga organet kompetente të dalin me shkaqet e zjarrit.
Digjet edhe deponia në fshatin Nerashtë në Tearcë, që gjendet përgjatë rrugës që të çon në fshatin Radushë. Në këtë lokalitet gjatë ditës u dërguan 1 automjet dhe 3 zjarrfikës.
Zjarr aktiv ka edhe në Prilep, në terren po veprojnë 10 zjarrfikës dhe 2 makina nga njësia kundër zjarrit. Në këtë lokalitet nuk është kërkuar nevoja për shuarje me helikopter.
Zjarri në Koçan që është aktiv tashmë ditën e tretë me radhë është nën kontroll. Ende nuk janë bërë vlerësimet nga dëmi I shkaktuar. Kreu i komunës thotë se ka para të mjaftueshme për sanimin e dëmeve dhe komisionet e vlerësimt vecmë janë në terren
Në rajonin e Shkupit zjarri që filloi rreth orës 19:20 të së martës mbi Banjën e Katllanovës, në fshatrat Gradmanci dhe Konjar është ende aktiv, por nuk ka rrezik për popullsinë lokale.
Situata e zjarreve ndryshon në çdo moment njoftojnë nga QMK nga ku apelojnë për kujdes të shtuar. Bullgaria pritet të ofrojë mbështetje për njerëzit dhe automjetet e zjarrfikësve, avionë kërkohen nga Greqia dhe Sllovenia dhe pritet një përgjigje pozitive.
MIGENA GORENCA
