Covid 19, rriten shifrat në botë, vaksinimi shpëtimi i vetëm

05.08.2021 13:22

Bashkimi Europian njoftoi miratimin e marrëveshjes....

Bashkimi Europian njoftoi miratimin e marrëveshjes që do të sigurojë 200 milionë doza të vaksinës potenciale të zhvilluar nga kompania amerikane e bioteknologjisë Novavax kundër COVID-19.

Në deklaratë thuhet se pasi vaksina të provohet se është  e sigurt dhe efektive kundër COVID-19, në emër të shteteve anëtare të BE-së  do të blihen gjithsej 200 milionë doza, 100 milionë prej të cilave janë opsionale.

Më 27 korrik, BE-ja njoftoi se ka arritur objektivin e saj për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së rritur. Ajo planifikon të sigurojë më shumë se 1 miliard doza të vaksinës deri në fund të shtatorit.

Teksa BE nxiton të sigurojë vaksina të reja, në SHBA vetëm në 24 orët e  fundit kanë humbur jetën 571 persona duke e cuar 614.329 numrin e të vdekurve që nga filimi I pandemisë. Në SHBA deri më tani mbi 192,1 milionë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës, kurse mbi 165,8 milionë dozën e dytë.

Mbi gjysmë milion njerëz të vdekur nga COVID-19 edhe në Brazil, ku vetëm në 24 orëte  fundit u regjistruan 1.175 fatalitete, duke e bërë këtë shtet të dytin në botë për nga numri i vdekjeve .

Banorët e Pekinit janë vënë  në radhë në mes të të nxehtit të verës për testet  e COVID-19 pasi Kina të enjten raportoi 62 raste të reja nga shtatë provinca.Vendi i cili më parë ishte mburrur me suksesin e tij në shtypjen e COVID-19 pasi u shfaq për herë të parë atje në Dhjetor 2019, i është përgjigjur zbulimit të variantit Delta në territorin e tij, me fushata testimi masiv.

Qeveritë lokale kanë testuar qytete të tëra dhe kanë mbyllur miliona, me shifrat zyrtare të Mërkurën duke zbuluar 71 infeksione të reja – shifra më e lartë nga janari.

OBSH ndërkohë bëri thirrje për t’i dhënë fund vaksinimit me dozën e tretë,  të paktën deri në fund të shtatorit,  për t’i dhënë vendeve më të varfra më shumë vaksina. Por autoritetet amerikane thonë  se tashmë kanë shpërndarë më shumë se 100 milionë doza në vendet më të varfra, që është më shumë se donacionet nga të gjitha vendet e tjera të botës së bashku. Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë ende një vendim për vaksinimin me një dozë të tretë, por Gjermania dhe Izraeli kanë vendosur ta bëjnë këtë, kryesisht për qytetarët e moshuar.