Zgjedhjet lokale, pritet shpallja nga Kryeparlamentari Xhaferi
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi....

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot duhet t’i shpallë zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.
Duke pasur parasysh që zgjedhjet e mëparshme ishin më 15 tetor të vitit 2017, në fakt nga 15 deri më 18 tetor, përmbushet mandati katërvjeçari i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve dhe ky mandati sipas Kushtetutës dhe Ligjit nuk mund të vazhdohet, përveç në gjendje të jashtëzakonshme ose luftë.
Më shumë se gjysma e kryetarëve të komunave në raundin e dytë fituan një mandat ose konkretisht 46 komuna, përfshirë Qytetin e Shkupit, kjo do të thotë në fakt se deri më 18 tetor u përfundon mandati katërvjeçar.
Nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e votimit, duhet të ketë minimum 70 ditë, maksimum 90 ditë dhe në këtë periudhë, KSHZ duhet ta përgatisë afatet për kryerjen e aktiviteteve zgjedhore.
Disa nga partitë tashmë kanë dalë me kandidatët e tyre dhe kanë paralajmëruar bashkëpunim për zgjedhjet e ardhëshme lokale.
LSDM ka paralajmëruar koalicione me BDI-në, Besa-n dhe PDSH-në, në disa komuna që në rrethin e parë, e në të tjerat në rrethin e dytë.
VMRO-DPMNE opozitare njoftoi se do të dalë me kandidatë të rinj. Opozita shqiptare, koalicioni ASH-AAA, nuk ka paralajmëruar koalicione për momentin.
Të gjithë kandidatët zyrtarë të partive apo koalicioneve eventuale, do të shpallen në shtator.
Mbetet e pasigurt nëse procesi zgjedhor do të jetë me rregulla të reja për pragun zgjedhor të kandidatëve të pavarur, të cilat tashmë kanë hyrë në procedurë kuvendore.
Presidenti Stevo Pendarovski e ka bërë të qartë se nuk do t’i nënshkruajë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në formën e tanishme, kryesisht për shkak të pragut prej 2 % për kandidatët e pavarur, por vetëm nëse lidhur me pragun për kandidatët e pavarur , arrihet konsensus më i gjerë midis partive.
Pendarovski thotë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të ishin bërë 6 muaj më parë e jo para zgjedhjeve.
Megjithatë pushteti ka paralajmëruar tashmë se do të ketë ndryshime dhe përmirësime në tekstin e Kodit Zgjedhor e se për këtë, parimisht ka marrëveshje midis katër partive më të mëdha. Presin që menjëherë pas pushimeve, në mes të gushtit, ndryshimet të votohen në Kuvend.
Vërejtje në ndryshimet e propozuara shprehën edhe Komisioni Antikorrupsion, Transparensi Interneshënëll dhe disa shoqata civile, të cilët konsiderojnë se miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kaq pranë fillimit të procesit zgjedhor, është në kundërshtim me rekomandimet e OBSE-ODIHR-së dhe të praktikave të mira me të cilat rekomandohet kornizë e qëndrueshme zgjedhore.
