Shqipëri, vazhdojnë zjarret, më rëndë në Vlorë e Kukës
Vlora ka hyrë në ditën e 14 të betejës...

Vlora ka hyrë në ditën e 14 të betejës me vatrat e zjarrit, të cilat herë shuhen dhe herë bëhen agresive duke përpirë sipërfaqet e pyjeve.
Në pyjet e Karbaurunit janë nisur punonjës së Agjencisë së Zonave të mbrojtur, por dhe ushtarë për monitoruar situatën në këtë zonë, pasi rreziku nga vatrat e zjarrit mbetet evident.
Nga një përllogaritje paraprake e dëmit, mësohet se janë djegur tre banesa në Gjorm dhe një në fshatin Gumenicë, të pabanuara.
Gjithashtu janë shkatërruar 1 200 rrënje ullinj dhe drurë të tjerë frutorë. Dëme gjithashtu ka pasur edhe në bagëti.
Edhe në Kukës situata me zjarret paraqitet e vështirë. Terreni malor vështirëson lokalizimin dhe punën për shuarjen e zjarreve që përhapen me shpejtësi.
Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, ndërsa në terren janë nisur forcat e ushtrisë dhe ekipet e Bashkisë Kukës, në mënyrë që të mos rrezikohen zonat e banuara. Ka nisur edhe ndërhyrja me helikopter nga ajri. (Luljeta Ndoka, TVM2)
