Kryeministri dhe disa ministra në pushim, VMRO: Qeveria në pushim, por ne jemi në dispozicion
Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev....

Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev dhe disa ministra të kabinetit janë duke shfrytëzuar disa ditë nga pushimi vjetor edhe pse vendi shpalli gjendje krize.
Por qeveria thotë se obligimet kryhen në kohë dhe pa asnjë pengesë.
Ministrat mbajnë seancat online ku merren edhe vendimet e nevojshme.
Koordinimet në terren menaxhohen nga zv/kryeministri i parë Artan Grubi, ministrat Shekerinska, Boçvarski, Hoxha, Carovska si dhe nga zv/ministrat.
“Kryeministri Zaev shfrytëzon disa ditë nga pushimi vjetor deri më 12 gusht, por është në lidhje të pandërprerë telefonike dhe në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha ministrat e resoreve, si dhe me institucionet kompetente. Një pjesë e ministrave nuk do të shfrytëzojnë pushimin vjetor në këtë periudhë, me qëëllim të sigurimit të koordinimit të nevojshëm, çdo kund që do të jetë e nevojshme” – thonë nga Qeveria e RMV-së.
Opozita akuzon për dështim total të sistemit. Sipas VMRO-së, derisa vendi po përballet me katastrofë e zjarret rrezikojnë jetë njerëzish, dhe pasuritë natyrore e të qytetarëve, qeveria kënaqet me pushime.
“Për tre ditë nuk ka asnjë gjurmë apo zë nga Zaev. Ai është përgjegjës kryesor për situatën. Pushimet e tij nuk mund të jenë më të rëndësishme se jeta e qytetarëve. Ai dhe të gjithë zyrtarët paguhen nga paratë e qytetarëve, të njëjtët që tani po luftojnë për jetën e tyre dhe luten për ndihmë. Ata shpallën gjendje krize dhe u zhdukën. VMRO-DPMNE vihet në dispozicion të nevojave të qytetarëve, zjarrfikësve, në dispozicion të të gjitha institucioneve, për gjithçka që nevojitet” – tha Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllados Misajllovski.
LSDM: Opozita do pikë politike, sistemi funksionon
Nga LSDM akuzojnë opozitën se kërkon të përfitojë politikisht
“Në vend që të ndihmojnë, ata po sabotojnë në mënyrë të vrazhdë me traumat nga humbjet personale dhe familjare të qytetarëve. Kështu nuk vepron asnjë parti politike. Asnjë opozitë deri më tani nuk ka rënë aq poshtë” – tha Stefan Vasev nga LSDM.
Sipas Social Demokratëve sistemi po funksionon. (Merita Gashi, TVM2)
