Zjarret pushtojnë një termocentral në Turqi

06.08.2021 19:23

Në bregdetin e Egjeut në Turqi...

Në bregdetin e Egjeut në Turqi u përfshi nga zjarret termocentrali Kermekoy në qytetin Milas. Para evakuimit punëtorët arritën të zbraznin rezervuarët ftohës të mbushur me hidrogjen. Për prodhimin e energjisë elektrike termocentrali përdor qymyr dhe naftë.

Javën e kaluar Ankaraja u detyrua të pranonte se numri i avionëve dhe i helikopterëve për të luftuar në mënyrë efektive flakët është i pamjaftueshëm. Megjithatë Presidenti Erdogan refuzoi ofertën e Greqisë dhe të Izraelit për të dërguar avionë dhe helikopterë. Ndërkohë BE-ja dërgoi tre avionë për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve në Turqi.

Zjarret që po vazhdojnë prej më shumë se një jave kanë shkaktuar në Turqi tetë viktima dhe kanë shkatërruar zona të mëdha pyjore përgjatë brigjeve të Detit Egje dhe Detit Mesdhe. Mijëra qytetarë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.