Botë

Covid 19 në botë, është përhapur varianti Delta në shumë venede

08.08.2021 15:45

SHBA sërish po kalojnë në një mesatare prej më shumë se 100.000 rastesh të të infektuarve me COVID-19 në ditë..

SHBA  sërish po kalojnë në një mesatare prej më shumë se 100.000 rastesh të të infektuarve me COVID-19 në ditë, shifër kjo që dëshmon se sa shpejt është përhapur varianti Delta në të gjithë vendin. Ekziston frika te zyrtarët shëndetësorë se nëse amerikanët nuk vaksinohen, atëherë shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve do të vazhdojnë të rriten. Rreth 50 % e banorëve amerikanë janë plotësisht të vaksinuar dhe më shumë se 70 % e të rriturve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.
 
Edhe India ka raportuar për 39,070 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit. Ndërkohë, numri i të vdekurve brenda 24 orëve të fundit në Indi ishte 491, duke e çuar kështu numrin e të vdekurve në total, në 427,862.India është një prej vendeve më të prekura në botë nga pandemia me koronavirus.
 
Gjithashtu edhe Irani po përballet me rritjen më të rëndë të koronavirusit deri më tani. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar më shumë infeksione dhe vdekje se çdo ditë tjetër që nga fillimi i pandemisë. Autoritetet shëndetësore regjistruan mbi 39 mijë e 600 raste të reja dhe 542 vdekje nga COVID-19.
 
Arabia Saudite njoftoi se nga e hëna, duke respektuar masat epidemiologjike aplikimet për besimtarët muslimanë që dëshirojnë të kryejnë Umren nga jashtë do të lejohen dhe se dy milionë kërkesa do të pranohen çdo muaj. Ndryshe, Umreja u pezullua në shkurt të vitit 2020 për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
 
Ndërkohë numri i vaksinave të koronavirusit të ri që janë administruar në gjithë botën ka tejkaluar shifrën 4 miliardë e 430 milionë, Sipas të dhënave Kina, vendi ku për herë të parë u shfaq koronavirusi, renditet e para me mbi 1 miliard e 770 milionë doza të administruara, e ndjekur nga India me 506 milionë e 810 mijë doza, dhe SHBA-ja me 350 milionë e 630 mijë.  Numri i rasteve me Covid 19 në gjithë botën ka shkuar në mbi 203 milionë e 106 mijë dhe numri i të vdekurve në mbi 4 milionë e 303 mijë. 
 
REJHANE BUSHI METAJ