Tina Maze dhe Jansrud triumfojnë në lëshim
Bukuroshja sllovene, Tina Maze, ngadhënjeu në Kupën e Botës në disiplinën e lëshimit, e cila u zhvillua në Qendrën e Skive në Lake Louise në Kanada....

Ajo zuri vendin e parë me kohë të kaluar 1:50.98 minuta dhe lë pas vetes austriaken, Anna Fenninger, e cila pati kohën më të dobët për 45 të qindtat e sekondës.
Tina Weirather nga Lihteshtajni renditet e treta me 6 të qindtat më e ngadalshme se vendi i dytë dhe 51 se e para. Maze kryeson me 288 pikë në renditjen e përgjithshme, e përcjellur nga austriaja Kathrin Zettel (250) dhe amerikania Michaela Shiffrin 209 pikë.
Të shtunën mbahet edhe një garë e lëshimit, ndërsa të dielën ajo e supersllallomit të madh.
Skiatori nga Norvegjia, Kjetil Jansrud, bëri rrëshqitje të shkëlqyeshme dhe shënoi fitoren e tretë në edicionin e sivjetshëm.
Ai triumfoi në Kupën e Botës në disiplinën e lëshimit, e cila u mbajt në Qendrën e Skive në Beaver Creek të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Jansrud arriti i pari në cak me kohë të kaluar 1:40.17 minuta ose ishte më i shpejtë për 54 të qindtat e sekondës se zvicerani Beat Feuz, ndërsa amerikani Steven Nyman ishte më i ngadalshëm për 56 të qindtat se vendi i parë. Jansrud shënoi fitoren e gjashtë në karrierën e tij, i cili me 316 pikë udhëheq në renditjen e përgjithshme, i ndjekur nga austriaku Marcel Hirscher me 180 pikë, i treti është italiani Dominik Paris me 160 pikë etj. Të shtunën mbahet gara e supersllallomit të madh.
