Botë

Greqia në ferrin e flakëve, situatë alarmante në Evia, mijëra të evakuuar

09.08.2021 11:22

Greqia vijon të jetë e mbërthyer nën ferrin e flakëve teksa vendi fqinj po përjeton valën më të rëndë të të nxehtit...

Greqia vijon të jetë e mbërthyer nën ferrin e flakëve teksa vendi fqinj po përjeton valën më të rëndë të të nxehtit me temperaturat që i tejkaluan 45 gradë celsius. Situata mbetet e rëndë ne ishullin e Evias. Më shumë se 2 mijë persona janë evakuuar, më të moshuarit janë transportuar me tragete. Dy vatra zjarri në Evia, kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe hektarë tokë, bashkë me një numër banesash dhe biznesesh. Shumë fshatra u shpëtuan sepse të rinjtë qëndruan atje pavarësisht urdhrit të evakuimit dhe i mbajtën zjarret larg shtëpive të tyre.

"Ne jemi në duart e Zotit. Shteti mungon. Nëse njerëzit largohen, fshatrat do të digjen me siguri.Për 40 vitet e ardhshme nuk do të kemi punë dhe në dimër do të mbytemi nga përmbytjet pa pyjet që na mbronin.”, tha Yannis Selimis, banor i zonës.
 
Autoritetet lokale thonë se nuk kanë marrë ndihmë të mjaftueshme për të luftuar flakët dhe se pjesë të ishullit janë shkatërruar plotësisht. 
 
"Me atë që kemi parë deri tani zjarri nuk do të jetë nën kontroll së shpejti. Nuk kam më zë për të kërkuar më shumë avionë. Nuk mund ta duroj këtë situatë.”, tha Giorgos Tsapourniotis, kryetar i Mantoudi - Evia
 
Por zv.ministri i mbrojtjes civile thotë se avionët ishin përballur më një sërë vështirësish për shkak të shikueshmërisë së ulët. Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe u janë përgjigjur thirrjes së Greqisë për ndihmë.
 
“Beteja në frontin e e zjarreve, kryesisht në Evia, Atikë dhe disa pjesë të Peloponezit ka vijuar përgjatë gjithë natës, me përfshirjen e forcave zjarrëfikëse, ushtrisë, policisë, rojes bregdetare dhe zjarrfikësve të ardhur nga një sërë vendesh që po na ndihmojnë.”, tha Nikos Hardalias, zëvendësministër për mbrojtjen civile.
 
Flakët gjunjëzojnë Turqinë, 8 të vdekur, mijëra të evakuuar në 12 ditë 
 
Edhe Turqia po lufton prej 12 ditësh me zjarret më të rënda në histori, që kanë përfshirë bregdetin jugor. Flakët kanë shkatërruar mijëra hektarë pyje në provincat në Mesdhe dhe Egje. 8 persona kanë vdekur dhe mijëra vendas e turistë janë evakuar. Autoritetet thonë 217 vatra janë vënë nën kontroll që prej 28 korrikut, por zjarrëfikësit vijojnë betejën për shuarjen e 6 vatrave. Një stuhi politike ka përfshirë qeverinë e Rexhep Taip Erdogan i kritikuar për menaxhimin e krizës. Presidenti hedh poshtë kritikat dhe akuzon kundërshtarët për politizim të situatës. Ai dënoi gjithashtu përdorimin e hashtagut #helpturkey, me pretendimin se vendi i tij nuk ka nevojë për ndihmë.
 
XHANAN HALIL