Botë
Delta rikthen frikën, në Francë hyn në fuqi certifikata Covid
09.08.2021 13:46
Ka kaluar një vit e gjysmë që kur u identifikuan rastet e para të Covid-19...

Ka kaluar një vit e gjysmë që kur u identifikuan rastet e para të Covid-19, por shumë vende po përjetojnë të njëjtën situatë si në ditët e para të pandemisë. Për të parandaluar valën e re, Franca vendosi që nga kjo e hënë, në restorante, autobusët e linjave ndërurbane, aeroplanë, panaire dhe institucionet e shëndetësisë, duhet të tregohet për të hyrë leja dixhitale Covid, e cila që nga mesi i majit kërkohet për të hyrë në kinema, muze ose në ndonjë eveniment të madh. Pra lejohet hyrja vetëm për ata që posedojnë dëshmi se janë vaksinuar, kanë tejkaluar virusin COVID-19 ose japin prova se janë negativë nga virusi korona.
Dipozitat e rrepta, përfshirë dhe vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve të shëndetësisë deri më 15 shtator do të jenë në fuqi deri në mesin e nëntorit dhe kanë të bëjnë me të gjithë personat e moshës madhore. Të rinjtë e moshës 12-17 vjeçe do të duhet të posedojnë këtë dëshmi nga 30 shtatori. Masat e debatueshme, u pasuan me protesta masive anembanë vendit gjatë fundjavës.
Franca po regjistron çdo ditë mbi 21 000 raste të reja, një rritje e madhe nga një muaj më parë. Nga 67 milion banorë të Francës, mëse gjysma është vaksinuar tërësisht.
Rriten rastet në Florida, shumë restorante kërkojnë certifikatën Covid
Edhe restorantet dhe klubet e natës në Florida të SHBA-ve, kanë filluar të kërkojnë pasaportat Covid nga klientët e tyre, për të qenë të sigurt që janë vaksinuar dhe nuk përbëjnë rrezik për stafin, por edhe për klientët e tjerë.
Shtetet e Bashkuara kanë raportuar mbi 100 mijë raste të reja ditore, këtë fundjavë, niveli më i lartë në 6 muajt e fundit. Thuajse 400 vetë kanë humbur jetën në 24 orë, ndërsa shtrimet në spitale janë në nivelin më të lartë që nga muaji shkurt. Epiqendër e shpërthimit të virusit raportohet të jetë pikërisht Florida, me thuajse 40 mijë raste vetëm këtë fundjavë.
XHANAN HALIL
