Zgjedhjet Lokale, MPB dorëzoi të dhënat e qytetarëve në KSHZ
Ministria për Punë të Brendshme....

Ministria për Punë të Brendshme të dielën në mbrëmje deri te KSHZ dorëzoi të dhënat e qytetarëve dhe shenjat e gishtërinjëve. Sipas ministrit të brendshëm Oliver Spasovski, ministria ka respektuar afatin ligjor, 48 orë pas shpalljes së zgjedhjeve për të dorëzuar të dhënat.
Ndërkohë në KSHZ vijojnë përgatitjet përfundimtare. Komisioni me kompaninë gjermane Dermallog, do të firmosë marrëveshje për furnizim me pajisje biometrike për identifikimin e votuesve nga shenjat e gishtërinjëve, pasi ankesa e parë për furnizim ishte refuzuar. Me këtë përmbushet kushti i fundit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Grubi: BDI garon me kandidatë të sigurtë
Edhe pse fushata zyrtarisht ende nuk ka filluar, partitë i kanë ndezur motorrët zgjedhorë. Integristët tashmë i kanë publikuar emrat e disa kandidatëve që do të rikandidojnë.
Të pyetur përse vendosën që të rikandidojnë disa kryetarë komunash për të ciat ka vërejtje në opinion, nga BDI thonë se anketat e brendëshme tregojnë se janë kandidatët më të sigurt, e të njejtët do ti propozohen këshillit të përgjithshëm.
“Në përputhje me të gjitha anketat të cilat I kemi zhvilluar dhe të cilat kanë qenë shumë voluminoze me nga 1 mijë njerëz në të gjitha qytetet dhe komunat e rëndësishme, zoti Ahmeti ka vlerësuar që kandidatët të cilët dje ai I bëri të ditur për opinionin do të jenë kandidatët fitues” – tha Artan Grubi nga BDI.
Aleanca për Shqiptarët ende nuk ka publikuar të gjitha emrat e kandidatëve për kryetarë komuna.
Nga kjo parti thonë se të sigurta mbeten rikandidimet e kryetarëve aktual në komunën e Gostivarit, Bogovinës dhe Vrapçishtit.
LSDM dhe opozita pjesërisht publikojnë kandidatët
Partitë maqedonase ende nuk kanë përmbyllur procesin e shpalljes së kandidaturave. Nga LSDM bëjnë me dije se deri në fund të muajit do t’i kenë të gjithë kandidatët.
VMRO - DPMNE gjitha propozimet për kandidat do t’i publikojë pas kalimit të propozimeve nëpër gjitha filtrat partiak duke respektuar gjitha afatet.
Partitë politike do të duhet që deri më 11 shtator ti dorzojnë emrat e kandidatëve për kryetar komune dhe këshilltarë.
Me shpalljen e zgjedhjeve për më 17 tetor pezull mbetën ndryshimet në kodin zgjedhor, për të cilat kryeparlamentari është shprehur se nuk pret të ketë ndryshime.
Megjithatë kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se pragu për dorëzimin e listave të këshilltarëve nga 2% të bie në 1% ose të mos ekzistojë fare. (Meral Ismaili, TVM2)
