Botë

SHBA, ekspertët paralajmërojnë mbi rreziqe të reja të lidhura me COVID-in

10.08.2021 10:07

Zyrtarët kryesorë amerikanë të shëndetësisë ngritën sërisht shqetësimin....

Zyrtarët kryesorë amerikanë të shëndetësisë ngritën sërisht shqetësimin të dielën lidhur me përhapjen në rritje të variantit Delta të koronavirusit në të gjithë vendin.“Po ndodh diçka e keqe dhe ne duhet ta kuptojmë këtë“, tha për rrjetin televiziv NBC, Dr Anthony Fauci, këshilltari kryesor i Presidentit Joe Biden, për çështje të mjekësisë. Paralajmërimi vjen mes thirrjesh në rritje që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm.
 
Sipas të dhënave zyrtare më shumë se 166 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit, ose më pak se gjysma e popullsisë, në një kohë kur nuk është dhënë ende autorizimi për vaksinimin e fëmijëve më të vegjël se 12 vjeç. Vaksinimet filluan dhjetorin e kaluar pas marrjes së autorizimit nga entet rregullatore amerikane për përdorimin e tyre në raste urgjence, ndërsa vazhdon shqyrtimi për autorizimin e plotë të tyre.
 
Çdo ditë më shumë se 100,000 amerikanë po infektohen për shkak të variantit delta të koronavirusit, një rritje me 10-fish në javët e fundit.
 
Të dhënat tregojnë se vaksinat ekzistuese të disponueshme në SHBA janë efektive kundër variantit delta. Por zoti Fauci paralajmëroi se nëse situata nuk mbahen nën kontroll, varianti delta mund të pësojë mutacione të reja, që mund t’i bëjnë vaksinat joefektive.