Botë

Greqi, 3 viktima nga zjarret, rritet zemërimi i popullit

10.08.2021 12:07

Qindra zjarrfikës vijojnë betejën me flakët masive që kanë detyruar evakuimin e mijëra qytetarëve...

Qindra zjarrfikës vijojnë betejën me flakët masive që kanë detyruar evakuimin e mijëra qytetarëve dhe kanë shkatërruar dhjetëra godina në Greqi. Kolona të mëdha tymi ngrihen mbi ishullin e Evias, I cili po digjet prej një jave. Pamje apokaliptike kanë ardhur prej ishullit në verilindje të Athinës, ku dhjetëra shtëpi e sipërfaqe të mëdha toke janë shkrumbuar. 1 person humbi jetën të hënën kur një buldozier ra në një shkëmb gjatë një zjarri, duke e çuar ne 3 totalin e viktimave. Të tjerë janë shoqëruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen. Mbi 1 mijë zjarrfikës, avionë dhe pajisje shtesë janë dërguar nga vendet e tjera. Vullnetarët ndihmojnë në mbajtjen e flakëve nën kontroll. 
 
“Zjarrfikësit po bëjnë maksimumin. por kemi nevojë për avionë. Zjarri ka përfshirë malin, nëse na afrohet do jetë katastrofë. Kemi kaq kohë në rrugë nuk vëmë dot gjumë në sy nga frika.”, tha Ioannis Thanos, vullnetar- banor i zonës.
 
Zemërimi publik është përshkallëzuar ditët e fundit, lidhur me vonesat dhe mangësitë në reagimin e qeverisë, përfshirë edhe mungesën e hidroplaneve.
 
“Është tmerr. E gjithë zona është djegur, shkrumbuar. jemi me fat që jemi gjallë. politikanët na premtojnë se do na ndihmojnë të rindërtojmë por shumë njerëz nuk do jenë në gjendje të rindërtojnë prapë jetën e tyre.”, tha Klelia Dimitraki, prefekte e monokarias.
 
Mitsotakis kërkon falje: Qeveria dështoi, katastrofë e paprecedentë
 
Kryeministri Mitsotakis kërkoi falje për dështimin në luftimin e flakëve që kanë gjunjëzuar vendin, edhe pse theksoi se përballeshin me një katastrofe natyrore të paprecedentë. Ai  fajësoi krizën klimatike për situatën. Qeveria miratoi një buxhet shtesë prej 500 milion eurosh për rindërtimin dhe kompensimin e atyre që humbën banesat dhe pronat. 
 
“E kuptoj dhimbjen e qytetarëve që panë shtëpitë të digjen apo që u detyruan ti braktisin ato. Ditët e fundit kanë qenë më të vështirat për vendin tonë, në dekada. Luftuam e vijojmë të luftojmë një betejë me të gjitha forcat, por përballemi me një katastrofë natyrore të paprecedentë.”, tha Kiriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.
 
Në vetëm pak ditë 586 vatra u aktivizuan rreth vendit, dhe për shkak të valës së parecedentë të të nxehtit dhe thatësirës ishte e vështirë të shuheshin. BE po mobilizon një prej operacioneve më të mëdha zjarrfikëse, për të ndihmuar Greqinë dhe vendet e tjera të luftojnë flakët.
 
MIGENA GORENCA