Maqedoni

Strugë dhe Ohër, masat e reja rrisin interesimin për vaksinim

12.08.2021 14:00

Ditëve të fundit në qendrat shëndetësore në Strugë dhe Ohër është rritur ndjeshëm interesimi për vaksinim kundër Kovid 19....

Ditëve të fundit në qendrat shëndetësore në Strugë dhe Ohër është rritur ndjeshëm interesimi për vaksinim kundër Kovid 19. Autoritetet shëndetësore thonë se për këtë ka ndikuar edhe paralajmërimi për një valë të re por edhe masat e reja kufizuese që ka vendosur qeveria. Nga qendra shëndetësore në Strugë thonë se janë të shqetësuar për rritjen e numrit të pacientëve të shtruar por janë të kënaqur me procesin e vaksinimit. 
 
“Sigurisht që jemi të shqetësuar, numri i rasteve pozitive rritet, rritet edhe numri i pacientëve nëpër shtëpi, pozitiv me Kovid, por mir është që vaksinimi shkon shumë mirë, deri më tani tek dy punktet tona janë vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë, edhe shumë qytetarë janë vaksinuar në Ohër dhe Vevçan, domethënë numri i të vaksinuarve në Strugë nuk është ajo që e tregojnë, por është më i lartë.”, tha Andon Lozhankoski, drejtor i qendrës shëndetësore në Strugë.
 
Pas lajmërimit se pa çertifikatë vaksinimi nuk do të mundësohet hyrje nëpër restorante dhe kafene, edhe në Ohër është rritur interesimi për imunizim kundër Kovid 19. 
 
“Vaksinimi është me interes në rritje, sidomos pas njoftimit të ministrit që do të forcohen masat për mbrojtje dhe do të ketë masa më restriktive. Interesimi më i madh është tek të rinjtë por vërehet interesim edhe tek më të moshuarit.”, tha Sonja Marinoska, udhëheqëse e shërbimit për kujdes shëndetësor të fëmijëve dhe të rinjve.
 
Në Ohër numri i vaksinimeve në dit arrin deri në 400. Një nga arsyet tjera për rritjen e interesimit për vaskinim, sidomos tek të rinjtë, është edhe sjellja e vaksinës Fajzer në këto dy qytete. Autoritet shëndetësore thonë se të rinjtë e preferojnë më shumë fajzerin për shkak të udhëtimeve.
 
ILMIJE ZHAKU