Mustafa dhe Thaçi nesër nënshkruajnë marrëveshjen
Liderët e PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në takimin e sotëm kanë arritur marrveshjen për bashkëqeverisje e cila do të nënshkruhet nesër në ora 10.....

Madje jozyrtarisht mësohet se është arritur marrveshje edhe për shefin e qeverisë, dhe se Kryeminsitër i ardhshëm i Republikës së Kosovës do të jetë Isa Mustafa.
Nënshkrimin e marrveshjes për ditën e nesërme e ka konfirmuar edhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi.
“Sot jemi takuar me kryetarin e LDK, z. Isa Mustafa, ku diskutuam për formalizimin e Marrëveshjes se koalicionit dhe u pajtuam se nënshkrimi i Marrëveshjes se koalicionit PDK-LDK të behet nesër ne ora 10 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu u pajtuam që ndërtimi i institucioneve qendrore të bëhet menjëherë pas nënshkrimit te marrëveshjes, po ditën e hënë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.
Ndërkohë kryesuesja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka caktuar për nesër vazhdimin e seancës konstituive, në të cilën do të bëhet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Për këtë post në mediat e Kosovës përmendet emir i Kadri Vejselit nga PDK, megjithse ende partia nuk ka njoftuar zyrtarisht kandidatin e sajë.
