Maqedoni

Ahmeti: Një nga pocionet ndarja e shtetit, mirnjohës aleatëve që e ndaluan

13.08.2021 13:35

Në konferencën “Përtej Ohrit”, kushtuar 20 vjetorit të MO-së, kryetari i BDI-së...

Në konferencën “Përtej Ohrit”, kushtuar 20 vjetorit të MO-së, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti bëri një retrosprektivë të ngjarjeve, të cilat çuan deri te konflikti i vitit 2001 dhe më pas nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. Ai tha se shqiptarët kanë luftuar për të drejta dhe barazi, për arsimim, ndërkaq shteti i ka “shpërblyer” me persekutim, rrahje e burgosje.
 
“Shqiptarët nuk kërkonin barut, por të drejta, ishim të ekspozuar ndaj persekutimeve, kërcënimeve, burgosjeve, është derdhur gjak për kërkesat për libra në gjuhën amtare dhe shkollim të lartë. Marrëveshja e Ohrit është funksionale i cili u dëshmua si i suksesshëm dhe zbatimi i së cilës duhet që të mirëmbahet dhe të avancohet. Shqiptarët në vitin 2001 nuk kërkuan autonomi apo federalizim të vendit, nuk kërkuan as luftë, ashtu siç asokohe besonin, por të drejta nacionale, barazi në Kushtetutë, studim në gjuhën amtare, përdorim të simboleve kombëtare. NATO dhe BE e kuptuan gjendjen në vend dhe vlerësuan se është e nevojshme që të ndërmarrin aktivitete për t’i filluar bisedimet që të mos përsëritej Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Kështu erdhi deri te Marrëveshja e Ohrit, ishte pozitë shumë e vështirë, duhej të harmonizoheshin kërkesat dhe pozitat tona me ato të kreut shtetëror dhe strukturave partiake. Të bëheshin kompromise. Kjo marrëveshje u dëshmua e suksesshme”, theksoi Ahmeti.
 
Shtoi më tej se mes opsioneve ka qenë edhe ndarja e vendit, e cila do të ishte tragjike si për shqiptarët, ashtu edhe për maqedonasit.
 
“Kaluam vështirësi nga më të mëdha, por cila do të ishte vështirësia më e madhe që mendoj se do të ishte tragjike edhe për shqiptarët, edhe për maqedonasit – ndarja e këtij shteti. Tjetër është çfarë thuhet pas 20 vjetësh, por para 20 vjetësh edhe ky opsion ka qenë në tryezë. Unë do të jem mirënjohës ndaj NATO-s, Uashingtonit, Brukselit, që ne gjetëm përkrahjen e fortë kundër këtij opsioni tragjik me pasoja shumë të mëdha për qytetarët tanë”, tha Ahmeti.