Maqedoni

Gostivar, rritja e infektimeve me Covid është shqetsuese

13.08.2021 14:32

Numri i të infektuarëve me virusin SARS-Covid 19, ditëve të fundit...

Numri i të infektuarëve me virusin SARS-Covid 19, ditëve të fundit, shënon rritje shqetësuese në Gostivar, me ç’rast rritet edhe numri i pacientëve të hospitalizuar në repartin infektiv dhe spitalin modular të spitalit të Gostivarit. Drejtori i spitalit të përgjithshëm në Gostivar, Jakup Jakupi, bën të ditur se gati  janë mbushur kapacitetet e këtij spitali, duke përmendur 47 pacientë të hospitalizuar, nga të cilët 32 në trajtim me oksigjen.
 
Spitali i Gostivarit do të vë në dispozicion edhe repartet e tjera në rast nevoje, ndërsa personelit të vogël në numër të repartit të infektologjisë do t’i bashkangjiten edhe personeli mjekësor i këtij spitali. Sipas analizave epidemiologjike për momentin, numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në Gostivar dhe dy komunat fqinje Vrapciste dhe Mavrovë – Rostushë që nga fillimi i pandemisë është 5,683 të infektuar. Aktualisht në Gostivar ka 467 raste aktive. Një situatë e tillë alarmante si duket nuk është boll për të ndërgjegjësuar qytetarët që t’iu përmbahen masave të Ministrisë së shëndetësisë. Më e keqja, sipas organeve të punëve të brendshme, shumë qytetarë të infektuar janë larguar pa paralajmërim nga vendi dhe janë kthyer në shtet e Evropës perëndimore, atje ku punojnë, ose kanë shkuar për pushime vjetore në det.
 
LULZIM KAMBERI