Botë

Afganistan, talebanët përparojnë, vendi në kaos

14.08.2021 18:25

Një ditë pasi kryengritësit talebanë pushtuan qytetet dhe të më të mëdha në Afganistan...

Një ditë pasi kryengritësit talebanë pushtuan qytetet dhe të më të mëdha në Afganistan, drejt Kabulit u nisën 3,000 trupa amerikane, për të ndihmuar në evakuimin e personelit të ambasadës dhe civilëve të tjerë në kryeqytetin afgan.  Britania dhe disa vende të tjera perëndimore gjithashtu po dërgojnë trupa, teksa rritet  frika se  një sulm në Kabul mund të jetë vetëm disa ditë larg. Kandahari, qendra ekonomike e jugut, është tashmë nën kontrollin e talebanëve pasi forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga SHBA përfunduan tërheqjen e tyre pas 20 vitesh luftë. Herati në perëndim, pranë kufirit me Iranin, gjithashtu ra në duart e grupit islamik, një godijte kjo e fortë për qeverinë afgane.
 
Ekspertët amerikanë të sigurisë druhen se talebanët, të rrëzuar nga pushteti në 2001 pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, mund të bëjnë një lëvizje në Kabul brenda pak ditësh. Shefi i OKB -së paralajmëroi se situata po del jashtë kontrollit me pasoja shkatërruese për civilët. Më shumë se 250,000 njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre , shumë prej tyre janë përqendruar në Kabul, në parqe ose në banesa të improvizuara. Danimarka dhe Norvegjia, po mbyllin plotësisht përfaqësimet e tyre diplomatike.
 
Ende ka shtetas të RMV-së në Afganistan, MPJ koornidon aktivitetet për evakuimin e tyre 
 
Në Afganistan ka ende edhe shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe kjo ka detyruar ministrin e  punëve të jashtme Bujar Osmani, të mbajë një takim urgjent koordinues me organet drejtuese kompetente brenda Ministrisë. Tashmë është krijuar një grup pune për të monitoruar situatën dhe  për të koordinuar aktivitetet në lidhje me evakuimin e qytetarëve tanë nga Afganistani, dhe për organizimin eventual të fluturimeve humanitare për këta qytetarë. Janë ende disa  dhjetëra qytetarë tanë  në Afganistan, dhe MPJ po koordinohet edhe përmes vendeve mike për përgatitjen e mundësive  logjistike për ndihmë ,  nëse lind nevoja. Nga MPJ u apelojnë qytetarëve të RMV-së ,  që kanë të afërm ose miq atje, të telefonojnë në telefonat e shërbimit.
 
+389 75 273 732
+389 75 446 647
 
Mbetet  në fuqi apeli për të mos udhëtuar në Afganistan, dhe qytetarët që janë atje të  shfrytëzojnë mundësitë për t'u larguar sa ka ende kohë.
 
MIGENA GORENCA