Afganistan, talebanët rrethojnë Kabulin, nisin evakuimet

15.08.2021 17:35

Talebanët kanë hyrë të dielën....

Talebanët kanë hyrë të dielën në periferi të kryeqytetit të  Afganistanit , Kabul,  i fundit që kishte mbetur pa u kontrolluar nga kryengritësit.

Sipas zyrtarëve, forcat talebane mësynë nga të gjitha anët, me të shtëna që dëgjoheshin në pika të ndryshme të qytetit,  duke detyruar edhe presidentin afgan Ashfraf Gani të largohet.

Zhvillimi erdhi vetëm disa orë pasi grupi kryengritës mori nën kontroll qytetin lindor të Jalalabad, duke siguruar rrugët kryesore që lidhin vendin me Pakistanin, vetëm disa orë pasi pushtuan bastionin verior anti-taleban të Mazar-i-Sharifit.

Një udhëheqës taleban në Doha tha se luftëtarët u urdhëruan të përmbahen nga dhuna dhe të ofrojnë kalim të sigurt për ata që kërkojnë të largohen nga Kabuli dhe t'u kërkojnë grave që të drejtohen në zonat e mbrojtura. Talebanët kanë nën kontroll të gjitha pikat kufitare të Afganistanit dhe  rruga e vetme për të dalë jashtë vendit është vetëm aeroporti i Kabulit.

Mes  palëve po kryhen bisedimet për të caktuar largimin nga pushteti dhe emërimin e një qeverie të re tranzitore.

Teksa kontrolli i plotë i qytetit nga grupi militant islamik shihet si çështje orësh,  shtetet perëndimore janë duke përshpejtuar përpjekjet për të larguar stafin e ambasadave të tyre në Kabul. Diplomatët amerikanë u evakuuan me helikopterë nga Ambasada amerikane.

Kontingjenti i parë prej 3.000 trupave amerikane arriti në Kabul më 13 gusht për të ndihmuar në evakuimin e stafit dhe sigurinë e aeroportit. Do të dërgohen edhe trupa shtesë në mënyrë që mijëra afganëve që punuan për forcat amerikane dhe tani kanë frikë nga hakmarrjet talebane, të mund të tërhiqen nga Afganistani.

Britania, Gjermania, Italia, Suedia,  dhe shtete të tjera evropiane po ashtu kanë përshpejtuar përpjekjet e tyre për të evakuuar diplomatët dhe punonjësit e tjerë të ambasadave të tyre.

Moska nuk ka plane të tilla. Punonjësit e e ambasadës ruse vazhdojnë të punojnë “me qetësi”.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, talibanët kanë garantuar siguri për misionin rus. (Zekirja Mexhiti, TVM2)